Musli Arifaj, kryetar i Bashkësisë Islame në Pejë. Foto: Bashkësia Islame/Youtube

BIK-u nuk i suspendon hoxhallarët e akuzuar për dëmtimin e varreve

Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë për dëmtim të varreve ndaj Musli Arifajt, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Pejë dhe Fuad Hoxhajt, sekretar i Këshillit të Bashkësisë Islame.

KALLXO.com ka kontaktuar Ahmet Sadriun, zyrtar nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), i cili ka thënë se rasti është një keqkuptim, dhe pavarësisht aktakuzës kreu i BIK-ut në Pejë, Musli Arifaj si dhe sekretari i Këshillit të BIK-ut në Pejë, Fuad Hoxhaj nuk do të suspendohen nga detyrat e tyre.

“Nuk janë suspenduar ata [Musli Arifaj dhe Fuad Hoxhaj], mesa e di ajo ka qenë mosmarrëveshje, keqkuptim, nuk ka të bëjë Këshilli me atë punë, edhe unë e di që ata nuk kanë pasur faj. E di që është marrë prokuroria, dhe në informatat që i kemi ata nuk kanë pasur faj, nuk i kemi suspenduar ata janë duke punuar atje”, tha Sadriu për KALLXO.com.

Në anën tjetër KALLXO.com ka kontaktuar kreun e BIK-ut në Pejë, Musli Arifajn, mirëpo ky i fundit përveç që na akuzoi për shpifje nuk dha detaje se çfarë ka ndodhur për rastin.

“A keni fytyrë , a keni fytyrë, ju nuk keni fytyrë, a po ju vjen marre, pse nuk shkoni mi shpif dikujt që del ju rreh e ju shkatërron po e  keni gjet BIK-u, turp t’iu vjen”, tha ai

Sipas sekretarit të Këshillit të BIK-ut në Pejë, Fuad Hoxhaj, kjo është çështje personale.

“Absolutisht nuk jam në ngjarje nuk di gjë, ne jemi të njoftuar por kjo është çështje e jona, nuk është çështje e juaj me u marrë me këtë gjë”, tha Hoxhaj për KALLXO.com.

 

https://kallxo.com/peje-aktakuze-ndaj-kreut-te-bashkesise-islame-per-demtim-te-varreve/

 

Ndryshe, rreth pesë vite më parë, imami Shefqet Krasniqi ishte ‘liruar’ nga ligjërimi në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, pasi që ai do të duhej të përballej në Gjykatë me akuzat e ngritura ndaj tij.

Në tetor të këtij 2018-ës, KALLXO.com raportoi se Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës me të cilin ish-imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, ishte shpallur i pafajshëm në akuzat për nxitje të urrejtjes, shtytje për terrorizëm dhe shmangie nga tatimi.

 

https://kallxo.com/shefqet-krasniqi-u-kthehet-ligjeratave-ne-xhamine-e-madhe/

Në anën tjetër zyrtari nga BIK, Ahmet Sadriu thotë se:  “Ka qenë një lloj mosmarrëveshje, por nuk janë suspenduar as nuk do të suspendohen. Aty është çështje e brendshme, aty e kemi një rast që është ngritur një aktakuzë, ende nuk ka asgjë rreth saj edhe presim që të shikohet ajo aktpadi, ne e dimë që ata nuk janë fajtorë edhe për atë nuk do ti suspendojmë. Nuk është suspenduar as Shefqet Krasniqi, ai ka qenë profesor i rregullt në fakultetin e Studimeve Islame, ai vetëm është liruar prej detyrës të imamit të ligjëruesit në xhami që e ka pasur punë tjetër të dytë”, tha ai.

.