BIK-u hapë dyert për festën e Bajramit të Madh

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, me rastin e festës së Fitër Bajramit, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës.

Haradinaj tha se detyrë e institucioneve është që të mundësojnë lirinë e besimit.

“E kam nderin edhe në emër të Qeverisë të uroj Myftiun Tërnava, por edhe të gjithë besimtarët e Kosovës, të gjithë ata që e festojnë. E vërtetë është se gjatë muajit të Ramazanit kemi pasur rastin të jemi bashkë. Detyra jonë është me e mundësu lirinë e besimit që e jep e drejta e Kushtetutës”, tha ai.

Ndërsa kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka uruar festën e Fitër Bajramit. Ai ka shkruar në Facebook se duhet anuar kah e drejta, kah e mira, kah e vërteta, kah e mbara, kah e bukura.

Shkrimi i tij i plotë:

Pas agjërimit të përditshëm në Ramazan dhe bashkimit të rregullt për Iftar erdhi festa e përbashkët e Fitër Bajramit. Urime e me gëzime!

Vetëpërmbajtja individuale përgjatë një muaji, sakrifica vetëmohuese e kalitja shpirtërore vazhdohen me shumë solidaritet për ata që kanë më pak. Festa është e të gjithëve kur është për të gjithë.

Me dashuri rreth sofrës së përbashkët, plot shpresë në zemra që agjërimi të jetë i pranuar, e me dorën e zgjatur të përkrahjes për të varfërit me fat Fitër Bajramin!

Sivjet dhe sot, Fitër Bajrami përputhet me ditëlindjen e Mulla Idriz Gjilanit i cili e shkriu jetën e vet për leximin dhe mësimin, për shkollimin e brezave, derisa ra dëshmor në betejë për liri e për bashkim kombëtar këtu e 70 vjet më parë.

Le të festojmë sepse le të anojmë kah e drejta, kah e mira, kah e vërteta, kah e mbara, kah e bukura.