Bifurkacioni drejt shndërrimit në kompani rajonale

Ndërmarrja Publike Komunale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” është drejt integrimit të plotë dhe shndërrimit në Kompani Rajonale të Ujësjellësit në nivel qendror.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se për të shërbyer më mirë qytetarët e komunave të Ferizajit, Kaçanikut, Hanit të Elezit dhe Shtërpcës, Këshilli Ndërministror për Ujërat ka marrë vendim që të integrohen të gjitha komunat e lartpërmendura sa i përket furnizimit me ujë të pijes dhe të lëvizim ndërmarrjen publike komunale në nivel qendror.

“Kjo do të thotë investime më të mëdha kapitale, kontroll më të mirë të ujit të pijes, integrim më të shpejtë të fshatrave në sistem rajonal dhe shërbime më të mira për qytetarët e këtyre komunave”, tha Lluka. Ai ka takuar përfaqësuesit e këtyre komunave për t’u siguruar që ky ndryshim të ndodhë deri në fund të muajit korrik.