Rezultatet e pulsit publik | Foto: ATK

Bie Perceptimi për Korrupsion në ATK

Administrata Tatimore e Kosovës në një komunikatë tregon se ka rënë perceptimi për korrupsion në këtë institucion.

Në komunikatën që njofton për këtë rënie të perceptimit të korrupsionit, ATK-ja bazohet në raportin e pulsit publik të publikuar nga UNDP-ja tetë ditë më parë.

“Në këtë raport thuhet se ka rënë perceptimi i qytetarëve për korrupsion në ATK, nga 32.5% në 17.4%”, thuhet në komunikatë.

Aty tregohet se cilat aktivitete të ATK-së ndikuan që gati të përgjysmohet perceptimi për korrupsion në “pulsin” e UNDP-së.

“Hetimi i  gjitha pohimeve për shkelje të kodit të etikes dhe mirësjellje për zyrtaret e ATK-së, marrja e masave disiplinore për shkeljet e identifikuara, pezullimi  i të gjithë zyrtareve të ATK-së, për të cilët është ngritur aktakuzë, dërgimi i të gjitha rasteve me elemente penale në organe kompetente”, janë disa nga masat që Administrata Tatimore mendon se e zvogëluan perceptimin për korrupsion brenda saj.

ATK-ja përmend edhe masa tjera që përmirësuan imazhin institucionit në raport me korrupsionin.

Aty numëron “rritjen e llogaridhënies dhe transparencës, menaxhimin e linjës online 0800-80-800 dhe dhjetë 10 kutive të vërejtjeve në terë Kosovën, trajnimi i stafit për Kodin e Etikes dhe kundër korrupsion, menaxhimi i konfliktit të interesit, si dhe bashkëpunimi me institucionet të cilat kanë për qëllim luftimin e korrupsionit, përfshire edhe ato joqeveritare”.

ATK bën të ditur se edhe në anketat tjera të publikuara ka përqindje më të ulët të perceptimit të korrupsionit në krahasim me vendet e regjionit.

“Edhe në anketat tjera për vlerësimin e nivelit të korrupsionit, siç është rasti me SELDI ( Southeast European Leadership For Development and Integrity) ATK-ja  rangohet me perceptim me të ulët për korrupsion krahasuar me  të gjitha administratat tatimore në regjion”, tregon komunikata.

KALLXO.com për pulsin publik shkroi më 22 tetor.

http://kallxo.com/rritet-kenaqshmeria-e-qytetareve-per-performancen-e-institucioneve/