Bie Numri i Pronave të Regjistruara në Emër të Dy Bashkëshortëve

Shumë komuna kanë pasur ulje të numrit të çifteve të cilat e kanë regjistruar pronën në emër të përbashkët, tregojnë të dhënat statistikore të organizatës POLIS.

Sipas Donjeta Elshanit nga kjo organizatë, urdhëresa e vitit 2016 paraqet masë afirmative që tenton kah barazia gjinore.

Ndonëse udhëzimi administrativ i 2016-tës i liron nga pagesa çiftet bashkëshortore që i regjistrojnë pronat për herë të parë ka dallime në mënyrat se si komunat e kanë adaptuar këtë të fundit.

Elshani ka treguar për KALLXO.com një tabelë ku shihet se përderisa viti 2016 ka numrin më të madh, në 6-mujorin e parë të 2017 ka pasur rritje vetëm te komuna e Fushë-Kosovës, Drenasit dhe Obiliqit.

Ndërkaq, komunat e tjera të hulumtuara: Kaçaniku, Lipjani, Hani i Elezit, Shtimja, Shtërpca, Prishtina, Ferizaji kanë ulje të numrit të çifteve që e kanë regjistruar pronën e përbashkët.

“Në vitin 2015 tek regjistrimi në emër të dy bashkëshortëve në komunat e regjionit të Prishtinës dhe Ferizajt kanë qenë vetëm 108 prona të regjistruara në emër të dy bashkëshortëve, ndërsa në vitin 2016 kemi pasur një rritje të mirë në krahasim me vitet paraprake, pasi që numri i pronave të regjistruara në emër të dy bashkëshortëve ka shkuar në 524”, thotë Elshani. Ndërsa, sipas saj, në 6 mujorin e parë të vitit 2017, në regjionin e Prishtinës dhe të Ferizajt janë përafërsisht rreth 382 prona të regjistruara në emër të dy bashkëshortëve.
Në komunën e Ferizajt sipas saj rol në ngritjen e numrit të regjistrimit të pronave të përbashkëta e kanë bërë noterët.

Ndërkaq, sipas Elshanit, zyrat kadastrale nuk kanë “komunikim të mirëfilltë” me agjencinë kadastrale e as me palët e tjera.

“Kur vjen në pyetje zbatimi i këtij udhëzimi të dhënat që zyrat kadastrale na ofrojnë neve janë se rastet e regjistrimit të pronës në emër të bashkëshortëve janë të liruar nga edhe nga taksa e transaksionit, deri sa zyrtarët kadastralë na ofrojnë informata të tilla, ndërsa zyrtarët financiarë pohojnë se taksa e transaksionit është e zbatueshme në këto raste”, shton Donjeta Elshani duke u bazuar në përvojën nga hulumtimi i zhvilluar nga organizata.

Edi Gusia, kryeshefe ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, ka treguar për KALLXO.com se udhëzimi administriv ka qenë i suksesshëm në vitin 2016.

Më së shumti këtë sukses e ka korrur në Ferizaj ku janë regjistuar 328 prona në emër të të dy bashkëshortëve. Ajo ka thënë se duke e parë suksesin e udhëzimit administrativ në vitin e kaluar, Agjencia për Barazi Gjinore e ka propozuar dhe më pas është vazhduar politika e lirimit nga kjo pagesë deri në prill të 2018-tës.

Lidhur me çështjen e të drejtave të grave në trashëgimi e veçanërisht lidhur me problematikat që kanë hasur ato në rrugën drejt realizimit të kësaj të drejte “Drejtësia në Kosovë” ka realizuar disa emisione.

Po ashtu, këto probleme janë trajtuar edhe në raportet e KALLXO.com nga seancat gjyqësore. Raportet për këto raste mund t’i gjeni në këtë link.

http://kallxo.com/zyrafete-huskaj-fiton-ne-gjyq-gjysmen-e-shtepise/

Ndërsa, BIRN ka dërguar në Kuvendin e Kosovës komentet dhe rekomandimet lidhur me këto projektligje që janë në procedim në Kuvendin e Kosovës.

Rasti i Shyhrete Berishës është një nga rastet më eklatante që dëshmojnë vështirësitë që hasin gratë në rrugën drejt realizimit të drejtave të tyre pronësore.

Në maj 2017, USAID lansoi fushatën për të drejtat e barabarta pronësore.

http://kallxo.com/usaid-lanson-fushaten-per-te-drejtat-e-barabarta-pronesore/