Bie Niveli i Ujit në Zonat e Vërshuara

Sipas zyrtarëve komunalë në Malishevë e Suharekë gjendja është qetësuar.

Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, në prononcim për KALLXO.com, tha se sot ka përmirësim të gjendjes, përderisa dje sipas tij ka pasur dëme shumë të mëdha ekonomike.

“Ka mjaft dëme ekonomike, ka biznese mjaft të dëmtuara, ka objekte të dëmtuara. Fatmirësisht njerëz të lënduar nuk kemi, kjo është e rëndësishme,” tha Begaj.

Begaj shtoi se gjatë gjithë natës zyrtarët komunalë kanë qenë të angazhuar.

“Kemi qenë të angazhuar gjatë gjithë natës mbrëmë, tash ka ra niveli i ujit. Kemi vizituar bizneset, kemi vizituar dëmet që janë bërë. Po shpresojmë që qeveria ta ketë parasysh me ndihmu Malishevën,” kërkoi Begaj.

I vetmi problem në Komunën e Malishevës ka mbetur kalimi në rrugën për fshatin Banjë, ndërkaq të gjitha rrugët tjera janë të kalueshme.

Edhe dje KALLXO.com intervistoi kryetarin e Malishevëps, ndërsa raportoi për vërshimet në këtë komunë dhe pjesë tjera të Kosovës.

http://kallxo.com/sundimi-i-ujit-ne-malisheve/

Edhe në Komunën e Suharekës ka përmirësim të gjendjes.

Reshat Reshitaj, zëdhënës i kësaj komune tha se nuk paraqitet më asnjë rrezik.

“Kemi një përmirësim të gjendjes. Është qetësuar gjendja, nuk ka më ujë, nuk paraqitet më asnjë rrezik,” tha ai.

Reshitaj shtoi se sot nuk do të dalin për të vizituar dëmet duke thënë se është ditë pushimi për krishtlindjet ortodokse, ndërsa të premten sipas tij do të dalin në terren për t’i parë dëmet.