Bie niveli i ujit në Badovc dhe Batllav, kërkohet që qytetarët të jenë më të përgjegjshëm

Kompania Rajonale e Ujësjellësit, Prishtina sh.a përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se niveli ujit në liqenet akumuluese ka rënë dukshëm me ç’rast edhe ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdese në mënyrën sesi e shpenzojnë ujin.

“Niveli i ujit në liqenet akumuluese ka pësuar rënie. Niveli i ujit në liqenin e Batllavës është 4 metra nën kuotën maksimale, ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badocit 4.2 metra nën kuotën maksimale”, thuhet në njoftimin e kësaj kompanie.

Sipas kompanisë shkak për rënien e nivelit të ujit është mungesa e reshjeve atmosferike.

“Pothuajse nga gjysma e vitit të kaluar e deri më tash kemi mungesë të reshjeve atmosferike dhe po të mos ishte marrja e ujit nga liqeni i Ujmanit, nivelet e tanishme do të ishin dukshëm më të ultë”, thuhet tutje në njoftim.

Tuje në këtë njoftim kompania ka përmendur krizën e viti 2015-të me duke kërkuar që qytetarët të jenë më të përgjegjshëm.

“Viti me thatësira më të mëdha që janë prekur nivelet e ujit të liqeneve të Batllavës dhe Badocit është viti 2013 deri në muajin prill 2014. Pra, theksojmë edhe njëherë se, është shumë me rëndësi që të gjithë së bashku ta menaxhojmë përdorimin e ujit të pijshëm dhe të raportojmë me kohë rrjedhjet e ujit dhe keqpërdorimet “, thuhet tutje aty.

Sipas kompanisë hapat që ne ndërmarrim sot për kursim të ujit, janë të një rëndësie jetike për ne dhe fëmijët tanë.

Tutje kompania ka ofruar edhe disa këshilla sesi mund të shfrytëzohet uji në mënyrë të duhur.

– Mos lejoni të rrjedhë ujë kot nga rubineti juaj,

– Mos përdorni ujin e pijshëm për të larë veturat,

– Mos përdorni ujin e pijshëm për ndërtime të shumta në qytet,

– Mos pastroni trotuaret me ujin e pijshëm,

– Mos harroni t’i mbyllni çezmat tuaja, pasi lani dhëmbët,

– Mos vadisni lulet, kopshtet dhe arat,

– Paguani rregullisht ujin që konsumoni,

– Mos lejoni ndërhyrjet pa leje në rrjetin e ujësjellësit,

– Të gjithë jemi përdorues të ujit, prandaj ne jemi edhe përgjegjës për ta shfrytëzuar atë në mënyrë të drejtë.

– Ujin mund ta zëvendësojë vetëm uji, andaj kurseje atë.