Zëvendëspresidenti i ShBA-ve, Joe Biden. Foto: Facebook

Biden do të Inkurajojë Dialogun Kosovë- Serbi në Vizitën Lamtumirëse

Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Joe Biden do të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën nga 15 deri më 17 gusht si pjesë e turneut ballkanik të destinuar për përmirësimin e marrëdhënieve të acaruara mes dy shteteve.

Biden do të takojë Presidentin serb Tomislav Nikoliq dhe Kryeministrin Aleksandër Vuçiq dhe pritet që në agjendë të jenë edhe vrasjet e pazgjidhura të Yllit , Agronit dhe Mehmet Bytyqit nga zyrtarë serb në kohën e luftës.

Këta të tre janë vrarë nga policia serbe pak kohë pas përfundimit të luftës në Kosovë përderisa po mbaheshin në Petrovo Selo në Serbi.

Trupat e tyre u zbuluan në korrik të vitit 2001.

Bosko Jaksiq, një analist politik dhe gazetar në “Politika Daily”, tha për BIRN-in se marrëveshja në Bruksel në mes të Serbisë dhe Kosovës është bërë e ngadalshme dhe jo efikase dhe Biden po vjen për t’i shtyrë  gjërat përpara.

“Në Serbi, rasti Bytyqi do të jetë një nga temat e diskutimit. Në Prishtinë, pritet që Biden të ushtrojë presion tek autoritetet që të shtyjnë përpara krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë,” tha Jaksiq.

Në marrëveshjen e Brukselit të 26 gushtit 2015 Beogradi dhe Prishtina u pajtuan të krijojnë këtë asociacion, por kjo marrëveshje ende nuk është zbatuar.

Për sa i përket rastit Bytyqi, Kryeministri Vuçiq ka dështuar që t’i arrijë disa afate të vetëcaktuara për zgjidhjen e çështjes duke përfshirë një premtim të bërë drejtpërdrejt Bidenit në Washington në shtator të vitit 2015.

Fatos Bytyqi, një anëtar i mbijetuar i familjes ka lëshuar një deklaratë duke kritikuar liderët politikë serbë që sipas tij japin premtime boshe për të marrë pika politike.

“Kurdo që ka një mundësi politike, Kryeministri Vuçiq dhe liderë të tjerë serbë japin premtime boshe për të zgjidhur vrasjen e vëllezërve të mi. Ne  nuk mund të vazhdojmë jetët tona. Dhimbja jonë nuk po respektohet, ajo po përdoret,” tha ai.

Praveen Madhiraju, një përfaqësues pro-bono për familjen Bytyqi, ka nxitur Biden-in që të bëjë presion te Kryeministri dhe Presidenti serb për zgjidhjen e rastit, duke theksuar lidhjen e tyre të ngushtë me të dyshuarin kryesor Goran “Guri” Radosavljeviq që ka mohuar çdo lidhje me rastin.

“Ne nxisim Zëvendëspresidentin Biden që të mos pranojë asgjë më pak se hapa të mëtutjeshëm me kuptim për rastin Bytyqi dhe një shpjegim se pse i dyshuari kryesor Goran “Guri” Radosaljeviq vazhdon të jetë këshilltar i afërt i Kryeministrit Vuçiq dhe Presidentit Nikoliq,” ka thënë Madhiraju.

“Nuk duhet të ketë më premtime boshe. Në asnjë rast liderët e Serbisë nuk duhet të trajtohen si partnerë të besueshëm në çështjet e sundimit të ligjit,“ shtoi ai.