Biblioteka Kombëtare | Foto: KALLXO.com

Bibliotekarët kosovarë kërkojnë rritje të pagave

Bibliotekarët kosovarë janë të pakënaqur me pagat që marrin duke konsideruar se nuk shpërblehen për punën që bëjnë, sidomos më të pakënaqurit janë punëtorët e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Rritja e pagave për punëtorët e disa prej institucioneve kulturore në vend për punëtorët që nuk kanë statusin e shërbyesit civil, nuk ka prekur punëtorët e Bibliotekës Kombëtare.

Duke qenë se fusha e bibliotekarisë hynë në sferën e shërbimit civil, e vetmja shpresë për rritje pagash për bibliotekarët kosovarë mbetet ligji i pagave, ose eventualisht amandamentimi i ligjit për bibliotekat në vend.

Pagat e bibliotekarëve kosovarë në nivel vendi variojnë nga 290 deri 400 euro, ku më të ‘privilegjuarit’ mbeten ata të “Pjetër Bogdanit”.

Studiuesit edhe njohësit e bibliotekarisë në vend kanë pohuar se institucionet duhet të shikojnë me vëmendje fushën e bibliotekarisë, me që siç janë shprehur ata bibliotekaria është një fushë shkencore dhe përveç shërbimit dhe inventarizimit, kjo fushë merret edhe me hulumtime dhe zhvillim bibliotekar.

Bibliotekaria, profesioni që nuk çmohet

Avdi Lakna kryetra i Shoqatës së Bibliotekarëve të Kosovës, bibliotekar në “Pjetër Bogdani” ka pohuar në një prononcim për Kallxo.com se bibliotekaria e Kosovës është nënçmuar dhe nënvlerësuar deri në atë masë sa një bibliotekar është barazuar me një punëtor teknik.

Sipas tij, puna e një bibliotekari profesionist ka peshë të madhe sepse ai mbledhë, seleksionon, klasifikon dhe përgatit informacion sipas standardeve ndërkombëtare të bibliotekarisë dhe ofron atë për përdoruesit.

“Unë kam bërë përpjekje që të takoj ministrin e Kulturës z. Kujtim Gashi dhe të diskutojmë këtë problem, por deri me sot nuk munda ta takoj, pse nuk di ku qëndron problemi. Për teatrin, Ansamblin Shota dhe të tjerët është bërë zgjidhje ndërsa nuk di pse Biblioteka Kombëtare është përjashtuar nga kjo pako. Uroj që të gjendet zgjidhje edhe për ne”, ka thënë Lakna.

Thirrje për institucionet

Edhe Ramadan Bershiri, ekspert i fushës së bibliotekarisë ka thënë për Kallxo.com se institucionet duhet të krijojnë kushte dhe paga dinjitoze për punëtorët e bibliotekave në vend.

Sipas tij, bibliotekaria është shkencë pasi merret edhe me hulumtime dhe përcjell zhvillimet bibliotekare në vend, jo vetëm një institucion shërbyes.

“Të shpresojmë se institucionet do të bëjnë më të mirën për bibliotekarinë në vend, por, duhet që të krijohen kushte dhe paga dinjitoze për punëtorët bibliotekar”, ka thënë Beshiri.

Se bibliotekarët kosovarë i kanë punët keq me pagat e ka potencuar edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtar të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku, gjatë shënimit të 74 vjetorit të themelimit të kësaj biblioteke.

“Është sfilitëse që ta inkurajosh sot bibliotekarin e dijshëm të punojë me pagën që ka. Bibliotekarët tanë janë të shqetësuar dhe të hutuar dhe shpresojmë se MKRS do ta bëjë më të mirën për punëtorët e bibliotekës”, pati deklaruar Gajraku.