Biblioteka e Gjilanit Bëhet me Libra për të Verbërit
“Rotary Club Anamorava”, përkatësisht rotarakët e rinjë, i kanë dorëzuar sot Bibliotekës së Qytetit të Gjilanit, libra me alfabetin “brail”, dedikuar personave të verbër
Rotarakët e rinjë tash e një kohë përmes aktiviteteve të ndryshme kanë grumbulluar mjete, për t’i sjellur në Bibliotekën e Gjilanit librat me alfabet brail, projekt ky që u mbështet nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, UNICEF-Innovation Lab Kosovo dhe biznese të ndryshme nga Gjilani.
Ky projekt u vlerësua si i mirëseardhur dhe i veçantë nga kryesuesja e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi – Emini.
“Në këto momente patjetër se është e vështirë të gjinden edhe fjalët e veçanta. E vlerësoj edhe aktivizmin e nxënësve për të qenë në krahë të fëmijëve me mungesë të të pamurit. Komuna e Gjilanit dhe kryetari Lutfi Haziri patjetër që gjithmonë i ka mbështetur dhe do të vazhdoj tutje të jetë në krahë të aktiviteteve të tilla. Ju konfirmojmë edhe njëherë mbështetjen tonë në çdo aspekt dhe i mirëpresim gjithmonë këto qështje të tilla që kanë të bëjnë me të rinjët e sidomos me fëmijët në veçanti”, tha Kurteshi-Emini.
Kurse Zijadin Hasani, kryetar i Rotary Club Gjilani, tha se ky klub do i mbështet gjithmonë Rotarakët e rinjë, duke i falënderuar ata dhe mentorin Muhamet Halili, i cili, sipas tij, i ka dhënë përkrahje dhe mban gjallë këtë klub.
Ndërsa, Kryetari i Shoqatës së të Verbërve në Gjilan, Bajram Spahiu, e vlerësoi nevojë të domosdosshme këtë ekzemplar me libra, të cilat mundësojnë komunikim dhe edukim për fëmijët.