Betonimi i autostradës nga njerëzit e AAK, këshilltari i Pal Lekajt tenton të pengojë ekipin e "Drejtësia në Kosovë"

Në emisionin e sotëm “Drejtësia në Kosovë” transmetohen  të gjeturat e një hulumtimi katër mujorë, i cili zbardhë mënyrën se si kompania e familjes së zëvendësministrit të Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, furnizon me beton ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan.

Gjatë xhirimeve të emisionit  Argjend Zejnaj, shefi i kabinetit të Ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj,  ka porositur  ekipin e “Drejtësia në Kosovë”, të mos i dalin në pritë ministrit me pyetjet të tilla.

“Mos mi dilni ma kshtu në pritë”, paralajmëron Zejnaj.

Ekipi i “Drejtësia në Kosovë”,  pas shumë përpjekjeve për të intervistuar ministrin Pal Lekaj, në lidhje me përfshirjen e kompanisë së familjes së zëvendësministrit Rexhep Kadriu në punimet në autostradë, Prishtinë- Gjilan, kjo ishte e pamundur.

Kështu ekipi përcjell një dëgjim publik në Junik në të cilin do të merrte pjesë Pal Lekaj, për të siguruar përgjigjet, për të cilat nuk pranoi të intervistonim në zyrën e tij, ku edhe merr paralajmërimin nga Zejnaj.

Zëvendësministri Rexhep Kadriu është zëvendësministri i parë i Infrastrukturës, ministri kjo e cila ka kontraktuar autostradën e Gjilanit.

Kameramanët e “Drejtësia në Kosovë” kanë filmuar disa herë kamionët e kompanisë së familjes Kadriu tek bartin beton për punimet e autostradës.

Hulumtimi zbardhë se kompania është bartur nga pronësia e zëvendësministrit tek djali i tij vetëm para disa muajsh.

Hulumtimi zbardhë po ashtu dokumentacionin dhe raportet të cilat kanë mundësuar që emri i kompanisë të mos figuroj në letrat e ministrisë.

Gjithashtu hulumtimi zbardhë kontratat dhe lidhjet e shpenzimit të parasë publike me pushtetarët e AAK-së.

Hulumtimin e plotë mund ta ndiqni të premten nga ora 22:20.