Betohet në Zot dhe Djalë se nuk Goditi Viktimën

Kryeziu paraqiti sot mbrojtjen e tij në gjykimin për rrahjen mes djemve të dy vëllezërve dhe nipave e dajallarëve të tyre në Reshtan të Suharekës më 2 gusht të vitit 2012.

Atëherë qenë lënduar pesë persona nga të përfshirët në përleshjen me mjete të forta, ndërsa një javë pas rrahjes kishte vdekur Burim Kryeziu.

“Betohem në Zot dhe në një djalë që e kam, se nëse e kam prekur apo goditur Burimin, ishalla më gjen fati i axhës tim,” tha Enver Kryeziu.

Mbrojtjen e paraqiti edhe i akuzuari Fadil Shala.

Ai tregoi se ditën e përleshjes bashkë me babanë e tij shkuan te vëllezërit Jonuz e Nuhi Kryeziu. Fadil Shala tha se vetë shkoi te familja e Jonuzit, ndërsa babai i tij u nis për t’u takuar dhe marrë vesh me Nuhi Kryeziun.

Shala më tutje tregoi se dëgjoi një britmë dhe pa prindin e tij të gjakosur.

Ndryshe nga Enver Kryeziu që mohoi ta ketë goditur të ndjerin Burim Kryeziu, Fadil Shala tha se e ka bërë këtë.

“Unë e kam goditur të ndjerin Burim Kryeziu në mes të kokës me një dru, por drurin e kam marrë nga Burimi dhe në atë moment ka ardhur policia,” tha i akuzuari Fadil Shala.

Bashkë me Shalën e Enver Kryeziun për rastin e Reshtanit po rigjykohet edhe Artan Kryeziu.

Rasti i Shalës dhe Artan e Enver Kryeziut u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit, pasi Apeli gjeti shkelje procedurale gjatë dënimit të shkallës së parë.

12 të akuzuarve tjerë, Apeli ua vërtetoi dënimet.

I akuzuari Fadil Shala ishte shpallur fajtor për këtë vepër penale duke u dënuar me 15 vjet burg, ndërsa të akuzuarit Enver e Artan Kryeziu ishin dënuar me nga 13 vjet burg më 11 shtator 2014.

http://kallxo.com/mbi-40-vjet-burgim-per-vrasjen-mes-familjareve-te-reshtanit/

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar Hajrip Krasniqi tha se të akuzuarit nuk u janë përmbajtur deklaratave të mëhershme.

“Sot ata kanë qenë shumë konfuzë, nuk iu kanë përmbajtur deklaratave të dhëna më herët dhe se në përgjithësi kanë treguar se mbrojtja e tyre nuk është as logjike,” tha Krasniqi.

Seanca e ardhshme u caktua për 5 shkurt ku do ta japë mbrojtjen e tij edhe i akuzuari i tretë Artan Kryeziu.