Betimi i 12 Prokurorëve - 07.05.2019

Betohen 12 prokurorë të rinj

12 Prokurorë e kanë dhënë betimin para Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit.

Ata në prani të Presidentit Thaçi, Kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezi dhe Kryesuesit të Këshillit Prokurorial Bahri Hyseni, u betuan se gjatë kryerjes së detyrave do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do t’i respektojnë rregullat e etikës profesionale

Pas emërimit nga Presidenti i Kosovës, këta prokurorë, me përjashtim të atyre që kanë përvojë paraprake si prokuror, i nënshtrohen trajnimit fillestar që do të organizohet nga Akademia e Drejtësisë.

Trajnimi fillestar duhet të zgjasë dymbëdhjetë (12) muaj, në bazë legjislacionit në fuqi dhe prokurorët e emëruar do të vlerësohen pas rezultateve të trajnimit fillestar, në bazë të dispozitave relevante të ligjit. Periudha e trajnimit fillestar do të zgjatet për ata prokurorë që dështojnë ta përfundojnë në mënyrë adekuate trajnimin fillestar, siç është përcaktuar nga Akademia e Drejtësisë.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) i ka monitoruar të gjitha fazat e këtij procesi të rekrutimit.