Milo Gjukanoviq - Foto: Beta

Beteja e Vështirë e Gjukanoviqit

Edhe një orë e gjysmë ka mbetur deri te momenti kur do të kuptohet nëse Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), e Milo Gjukanoviqit, do të fitojë votat e mjaftueshme për të formuar një shumicë absolute në Parlament.

Në zgjedhjet parlamentare deri në ora 18:00 kanë dalë 65.5 për qind e votuesve, njofton Qendra për Tranzicion Demokratik.

Të hapura në ora 7:00, vendvotimet do të mbyllen në ora 20:00.

Në këto zgjedhje, gjasat më të mëdha për të fituar i ka DPS, partia që ka qeverisur Malin e Zi prej afro dy dekadash. Lider i saj është Milo Gjukanoviq që nga viti 1998.

Pasi ka qenë në koalicion për 18 vjet me partitë e vogla të pakicave etnike kroate, shqiptare e boshnjake, DPS ka hyrë në këto zgjedhje e vetme dhe Gjukanoviq shpreson se do ta fitojë mandatin e tij të shtatë si kryeministër.

Aktualisht, DPS ka 30 nga 81 ulëset e Parlamentit.

Në këto zgjedhje garon edhe Partia Social-Demokratike (SDP), partner i koalicionit me DPS-në deri në janar të këtij viti.

Ndonëse e vogël, SDP aktualisht ka tetë deputetë.

Në garë është edhe Partia Popullore Socialiste (SNP), e cila aktualisht ka 9 ulëse në Parlament.

Kjo parti e qendrës së majtë kryeson “koalicionin demokratik”, i cili përbëhet nga grupe të konsideruara qytetare dhe të moderuara për nga orientimi, bashkë me Lëvizjen Qytetare URA dhe partinë DEMOS.

“Fronti Demokratik”, është formuar në korrik 2012 me synimin për ta zëvendësuar regjimin e DPS-së, të cilin e përshkruanin si “autoritar, prapakthyes, kriminal dhe oligarkik”.

Ndonëse pro Bashkimit Evropian, “Fronti” gjatë viteve ishte një parti politike kundër integrimit në NATO dhe pro-Rusisë.

Gjithashtu, në garë janë edhe partitë e tjera të vogla, Lëvizja për Ndryshime (PZP), Mali i Zi Pozitiv (PCG), Partia Boshnjake (BS, e cila ka tre ulëse në Parlament).

Ndërsa, për herë të parë, tri partitë e pakicës shqiptare në Mal të Zi, “Forca”, Unioni Demokratik Shqiptar (UDSH), dhe partia Alternativa Shqiptare kanë formuar një koalicion me qëllim që të fitojnë sa më shumë ulëse në Parlament dhe të luftojnë më fuqishëm për të drejtat e tyre etnike.

Tri partitë kanë ardhur në përfundim se nuk do t’i përsërisin gabimet e zgjedhjeve të kaluara, të vitit 2012, kur për shkak se garuan të ndara, nuk e fituan as edhe një ulëse në Parlament.

Shqiptarët e Malit të Zi Shqyrtojnë Koalicionin me Gjukanoviqin