Beteja e Avokatit të Gavriqit për t’ia Hequr Akuzën për Terrorizëm

Në Gjykatën e Apelit është shqyrtuar dënimi i apeluar i Sllobodan Gavriqit për vepra terroriste dhe kundër rendit kushtetues.

Gjyqtarja raportuese Hava Haliti ka paraqitur në mënyrë kronologjike rastin nga momenti i arrestimit të Gavriqit e deri te dënimi i tij si dhe ankesa e paraqitura në Apel.

Në qershor të këtij viti, Gavriq qe dënuar me 13 vjet burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë pasi qe gjetur fajtor në akuzat për terrorizëm. Ai qe arrestuar në Prishtinë në dhjetor të vitit 2014 pasi në veturën e tij të ndaluar në lagjen Arbëria (ish Dragodan) në Prishtinë, iu gjetën rreth 13 kilogramë eksploziv.

Ditën kur u shpall dënimi, avokati i tij paralajmëroi se do të ankohej ndaj vendimit të gjykatës për dënimin e klientit të tij.

Avokati Zhivojin Jokanoviq duke folur sot për ankesën e tij, tha se nuk i konteston veprimet e Sllobodan Gavriqit, por vetëm kualifikimin e veprës penale.

http://kallxo.com/denohet-sllobodan-gavriq/

Ai pretendon se Gavriq nuk duhet të dënohet për përgatitje të veprave që lidhen me terrorizmin, por për eksport-import të armëve.

Gavriq tha se nuk ka çfarë t’u shtojë atyre që tha avokati i tij dhe i përkrahu deklaratat e Zhivojin Jokanoviqit, ndërsa Prokuroria e Apelit ka kërkuar nga gjykata hedhjen poshtë të ankesës së mbrojtjes së Gavriqit dhe vërtetimin e aktgjykimit të gjykatës themelore.

Kryetari i Kolegjit gjykues tha se së shpejti do të merret vendimi i dhe do të ju dërgohet palëve.

Pas dënimit të Sllobodan Gavriqit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në Gjykatën e Apelit ishte ankuar avokatët e tij Zhivojin Jokanoviq dhe Dejan Vasiq.

http://kallxo.com/sllobodan-gavriq-kishte-sjelle-tri-here-eksploziv-nga-beogradi-ne-prishtine/

Sipas aktakuzës së ngritur në korrik të vitit 2015,  Sllobodan Gavriqi dyshohej për përgatitje të veprës penale të terrorizmit  në dhjetor të vitit 2014 pasi në Beograd u furnizua me 25 pajisje eksplozive me peshë totale 12.219 gramë, të cilat përmbajnë eksploziv të fuqishëm PETN i kombinuar me fragmente metali, bulona dhe gozhda që shërbejnë për rritjen e fuqisë shkatërruese dhe shkaktimit sa më të madh të viktimave në njerëz dhe dëme materiale.

Aktakuza thoshte se Gavriqi këtë sasi të eksplozivit e transportoi nga Beogradi për në Prishtinë me veturën e ti “Renault Clio”. Prokuroria pretendonte se eksplozivi i Gavriqit, ishte marrë në Beograd dhe kishte për qëllim kryerjen e një akti terrorist.

Gjatë procesit gjyqësor Gavriqi nuk e pranoi fajësinë, ndërsa tha se eksplozivin në Prishtinë e kishte sjellë për ta shitur.

Dosja Gavriq në KALLXO.com