Besart Dreshaj i LDK-së i gatshëm t'ia zë vendin Haki Rugovës

Ndonëse ende nuk është vendosur nëse kryetari aktual i Istogut Haki Rugova do të kandidoj edhe për një mandat në këtë komunë, zyrtarë të lartë të degës së LDK-së në Istog kanë shprehur haptas gatishmërinë për të zëvendësuar Haki Rugovën në garë për kryetar komune.

Derisa Haki Rugova sot ishte në seancë gjyqësore, nënkryetari i degës së LDK-së në këtë Komunë, Besart Dreshaj ka shprehur gatishmërinë për të qenë kandidat i LDK-së për zgjedhjet lokale në Istog.

Besart Dreshaj, nënkryetar i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Istog në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se është i gatshëm për të kandiduar për kryetar të kësaj komune.

“Përderisa jam nënkryetar i degës, kam qenë zëvendësministër dhe njëkohësisht projektet madhore të Komunës së Istogut janë ato të cilat kanë kaluar nëpërmjet meje si drejtor i Urbanizimit dhe Zhvillimit Ekonomik mendoj që ka arsye dhe potencial që të jem në mesin e kandidatëve për të prirë për të parin e Komunës. Nëse kryesia vlerëson që unë duhet të jem kandidat unë jam i gatshëm”, tha ai për KALLXO.com.

I pyetur nëse kryetari aktual, Haki Rugova do të kërkoj edhe një mandat për Istogun, Dreshaj tha që ende nuk ka vendim.

“Ende nuk është vendimi final që ai nuk do të kanididohet, mirëpo mbetet që para kryesisë të deklaron kryetari aktual a do të jetë kandidat apo jo. Besoj që edhe nëse deklaron kryesia e ka vullnetin për të vazhduar me të. Në çoftë se kryetari aktual nuk do të jetë atëherë ne do të jemi ata të cilët do të analizojmë, por me rëndësi që në këtë proces do të dalim sa më mirë”, tha ai.

Komuna e Istogut që nga viti 2010 udhëhiqet nga Haki Rugova i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me kryetarin e degës së LDK-së në Istog dhe kryetarin e Komunës, Haki Rugova, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

LDK zyrtarizon kandidatët për kryetarë të 8 komunave