BERZh përfshihet në privatizimin e Telekomit të Kosovës

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) do të përfshihet në procesin e privatizimit të të Telekomit të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Ministri ka treguar se ka kërkuar nga BERZh të ofrojë asistencë teknike (në formë të grantit) për fazën e ristrukturimit dhe ripozicionimit të kësaj ndërmarrjeje.

Në kërkesë, ka shtuar ministri Lluka, kam potencuar faktin se Qeveria e Kosovës, në bazë të planit të saj qeverisës, parasheh privatizimin e kësaj ndërmarrjeje.

“Gjithashtu, kam bërë të qartë se para gjithsecilit vendim të privatizimit, përmirësimi i përformancës së ndërmarrjes si dhe praktikave brenda saj është prioritare dhe do i paraprijë çfarëdo procesi tjetër”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Dhe, sipas ministrit, BERZh është përgjigjur pozitivisht dhe ka shprehur gatishmërinë për të ofruar asistencë teknike në fazën e ristrukturimit, ofrimin e një kredie deri në 25 milionë euro si dhe hartimin e një dokumenti mbi hapat që duhet të ndjekë Qeveria e Kosovës për privatizimin e kësaj ndërmarrje, i cili ndër të tjera bazohet në principet si në vijim: vlerësimin e drejtë të secilës ofertë për privatizim të Telekomit, përkushtim dhe transparencë në këtë proces, inkurajim të konkurrencës si dhe rishikim të proceseve dhe strukturave brenda Telekomit të Kosovës.

KALLXO.com raportoi sot se 4 kompani ndërkombëtare kanë shfaqur interesim për privatizimin e Telekomit të Kosovës.

https://kallxo.com/keto-jane-kompanite-e-interesuara-per-ta-blere-telekomin-2/

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot kërkesën e prezantuar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik për përgatitjen e Telekomit të Kosovës për privatizim.

https://kallxo.com/qeveria-nxjerr-ne-shitje-telekomin/

www.kallxo.com