Gjykimi i Bernard Përlazrit | Foto: KALLXO.com
Bernard Përlazri porosit gjykatësit, përmend vrasjen e vitit 2015
Në seancën gjyqësore të Gjykatës së Apelit gjatë shqyrtimit të ankesave në lidhje me vendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit për një rast të detyrimit të mbetur në tentativë, reagime të ashpra pati nga njëri prej të akuzuarve.
Me vendimin e Gjykatës së Prizrenit i pakënaqur ishte ndarë i akuzuari Bernard Përlazri, i cili mllefin dhe pakënaqësinë e tij e shfaqi edhe në seancën gjyqësore të kolegjit të Apelit.
Gjykata Themelore në Prizren Përlazrin e kishte shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale të detyrimit të mbetur në tentativë dhe ndaj tij kishte shqiptuar dënimin me burgim prej dy vjetësh si dhe dënimin me gjobë prej dy mijë eurove.
Kurse ndaj të akuzuarve të tjerë Pashk e Jozef Përlazri, Gjykata ka nxjerrë aktgjykim lirues me arsyetimin se për ta nuk është provuar se e kanë kryer veprën penale e cila u vihej në barrë.
Në lidhje me këtë aktgjykim të Gjykatës së Prizrenit, ankesë kanë paraqitur si Prokuroria po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Bernard Përlazi, avokati Nikë Shala.
Përderisa gjyqtari referues i kolegjit të Apelit, Abdullah Ahmeti ishte duke i lexuar pretendimet e Prokurorisë, të cilët të pakënaqur me vendimin e Gjykatës së shkallës së parë, Gjykatës së Apelit i kishin kërkuar që të akuzuarit Bernard Përlazi t’i shqiptohet një dënim më i lartë me burgim dhe me gjobë, i akuzuari ndërhyri dhe iu drejtua kolegjit të gjyqtareve të Apelit me këto fjalë:
“Edhe nja njëzet vjet apo? Nuk kishit drejtësi as asgjë, qysh po thoni, ju njëzet vjet mi dhatë”, tha i akuzuari.
Përkundër faktit se kryetari i kolegjit, gjyqtari Xhevdet Abazi i kërkoi të akuzuarit që të qetësohej dhe të priste radhën për t’i shprehur kundërshtimet e tij, i njëjti u ngrit në këmbë dhe vazhdoi të fliste përderisa kryetari i kolegjit ia tërhoqi vërejtjen se nëse ai nuk ulet në vendin e tij dhe nuk hesht do të përjashtohej nga salla, i akuzuari vazhdoi të bërtiste me zë të lartë dhe shtoi se më nuk dëshiron që ta shqetësojnë për gjëra të tilla. Pastaj, ai vetë vullnetarisht tha se nuk dëshiron të qëndrojë më në sallë.
“U pa drejtësia juaj. Për dy shuplaka në burg. Mbani në mend çka po ju them: kur të ndodh vrasja sikurse në 2015 atëherë do të shohim”, tha i akuzuari përderisa ishte duke u larguar nga salla nën përcjellje të Policisë.
Pas largimit të të akuzuarit nga salla, mbrojtësi i tij avokati Nikë Shala theksoi se ai qëndron në tërësi pranë ankesës dhe pretendimeve ankimore, duke i propozuar dhe njëherë Gjykatës që ankesën e parashtruar nga ana e Prokurorisë ta hedhë si të pabazuar ndërsa ndaj të mbrojturit të tij të marrë aktgjykim lirues pasi që sipas avokatit me asnjë provë nuk është provuar se Bernard Përlazri e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Avokati Nikë Shala e përmendi edhe faktin se sipas tij për të njëjtën vepër penale, të akuzuarit tjerë Pashk e Jozef Përlazri janë shpallur të pafajshëm kurse i mbrojturi i tij për të njëjtën vepër është shpallur fajtor e që sipas avokatit i mbrojturi i tij nuk e ka mohuar faktin se tanimë të ndjerin e ka goditur me shuplakë por tha se këtë veprim e ka ndërmarrë për të zmbrapsur sulmin e atëçastshëm i cili i kishte ardhur nga tanimë i ndjeri.
Kurse për pretendimet e Prokurorisë se i akuzuari Bernard Përlazri e ka kryer veprën penale të detyrimit të mbetur në tentativë, avokati Shala u shpreh se ky pretendim nuk është vërtetuar me asnjë fakt e asnjë provë. Madje sipas avokatit i mbrojturi i tij në këtë rast është palë e dëmtuar sepse ai vetëm ka kërkuar kthimin e borxhit të cilin ia kishte marrë tanimë prindi i të ndjerit.
Në sallë të Gjykatës të pranishëm ishin edhe familjarët e të ndjerit, Hekuran Morina, të cilët deklaruan se e përkrahin në tërësi ankesën e Prokurorisë.
Më pas kryetari i kolegjit, gjyqtari Xhevdet Abazi u kërkoi zyrtarëve policorë që ta pyesnin të akuzuarin nëse dëshironte që të rikthehej në sallë në mënyrë që të kishte mundësi që t’i shprehte kundërshtimet e tij në lidhje me vendimin e Gjykatës së shkallës së parë.
I akuzuari nën përcjellje të Policisë u kthye përsëri në sallë, ndonëse i revoltuar me vendimin e Gjykatës së Prizrenit ai nga Gjykata e Apelit tha se kërkon vetëm drejtësi dhe se shpreh keqardhje për rastin që kishte ndodhur më pas në mes tij dhe tanimë të ndjerit Hekuran Morina.
“Nuk jeni tu pa a nuk jeni tu dashtë. Këtë padrejtësi vetëm Millosheviqi na e ka bo në 1998-1999… Vetëm drejtësi po kërkoj. Pishman jam në tokë e qiell, po nuk kam pas tjetër zgjidhje. Ata më kanë dalë, kamerat janë, këta e dinë vetë fajtorin, nuk po them me më liru nga burgu… U bë tash ajo. Por jo padrejtësia… Vendosni qysh doni”, deklaroi i akuzuari.
Gjykata e Prizrenit ka gjetur se Bernard Përlazri është fajtor se prej fillimit të janarit e deri më 23 shkurt 2015 në Prizren me qëllim të fitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete përdor forcën për të detyruar personin tjetër të kryejë ndonjë veprim në dëm të pasurisë së tij në atë mënyrë që i akuzuari Bernard Përlazri me të akuzuarin Jozef shkojnë në lokalet e biznesit të të dëmtuarit tani të ndjerit Hekuran Morina, kërkojnë të bisedojnë me të dhe gjatë bisedës me të dëmtuarin Hekuran në prezencë të dëshmitarëve Afrim Morina dhe Fadil Morina, i akuzuari Bernard kërkon nga Hekuran Morina shumën prej 70 mijë eurove kinse në emër të borxhit të cilin e kishte baba i tyre tanimë i ndjeri Beg Morina. Sipas të akuzuarit Bernard, i ndjeri Beg Morina kishte garantuar këtë shumë për një shok të tij të nacionalitetit turk dhe në momentin kur i dëmtuari Hekuran kundërshton se baba i tyre ka pasur një borxh të tillë, i akuzuari Bernard i drejtohet me fjalë se për këtë ka prova.
Më tej thuhet se me 23 shkurt 2015 në Prizren në rrugën e “Shkodrës”, derisa i dëmtuari Hekuran ishte duke shkuar në shtëpinë e tij, para tij ndalet me automjet i akuzuari Bernard, i afrohet automjetit të të dëmtuarit ia ofron një letër, kopjen e letërnjoftimit të Beg Morinës në të cilën letër është shënuar: “Beg Morina i mur te Bernard Përlazri me 11 shkurt 2015, 70 mijë euro, brenda gjashtë muajve me u kthy borxhi” dhe dy nënshkrime.
Sipas aktakuzës, i dëmtuari pasi e lexon letrën i thotë të akuzuarit se ky nuk është shkrimi i babait të tij mandej kërkon që të dalë jashtë veturës, kurse i akuzuari nuk e lejon, pastaj i dëmtuari tanimë i ndjeri e godet një herë me grusht në pjesën e hundës ndërsa i akuzuari e godet dy herë me grusht në fytyrë dhe ia këput zinxhirin nga qafa me çka ka pretendohet se ka kryer veprën penale detyrimi i mbetur në tentativë.
KALLXO.com ka shkruar edhe për proceset e tjera gjyqësore të cilat janë zhvilluar ndaj të Bernard Përlazrit.
Shkrimet mund t’i gjeni në këtë link.
Po ashtu, Bernard Përlazri është i dyshuar për vrasjen e Hekuran Morinës.