Gjykimi i Bernard Përlazrit | Foto: KALLXO.com
Bernard Përlazri nuk Sillet në Gjykatë
Seanca gjyqësore kundër të akuzuarit Bernard Përlazri nuk u zhvillua për shkak të dështimit të njësitit të transportit për sjelljen e të akuzuarit në gjykatë.
Kryetari i trupit gjykues Artan Sejrani, njoftoi palët se për arsye se Përlazri nuk u soll në gjykatë nga burgu i Dyzit, seanca gjyqësore do të shtyhet.
Për seancën e së mërkurës ishte planifikuar të dëgjohen tre dëshmitarë.
Seanca e radhës do të mbahet 19 qershor 2017.
Bernard Përlazri akuzohet nga prokuroria për vrasje të rëndë në bashkëkryerje.
Përlazri, akuzohet se më 7 shtator 2015 rreth orës 20:28 minuta në Lagjen “Bazhderhana”, në bashkëkryerje me të akuzuarit tjerë Leonard Përlazri dhe Ambroz Përlazri (nipat e tij të cilët gjenden në arrati) të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt për shkak se kundër tij ishte duke u zhvilluar procedura penale e iniciuar nga Hekuran Morina, i shkaktuan lëndime Morinës.
Këto lëndime i ishin shkaktuar Hekuran Morinës me arsyetimin se nuk po e paguante shumën prej 70 mijë eurove, të cilat kinse Beg Morina, babai i Hekuranit, ia kishte marrë borxh Bernard Përlazrit.
Lëndimet Hekuran Morinës iu shkaktuan katër ditë pasi Pçrlazri u lirua nga paraburgimi ku qëndroi nga marsi deri në shtator 2015.
“Pas katër ditëve të ndërprerjes së paraburgimit dhe pas marrëveshjes paraprake me të pandehurit tjerë, të armatosur, me veturën e markës ‘BMW X5’ pasi i përcjellin lëvizjet e të dëmtuarve të cilët ishin me makinë Hekuran e Fadil Morina si dhe miku i tyre Besim Hoti, të pandehurit pas drejtimit të disa fyerjeve dhe sharjeve me fjalët ‘Ndal bre robt ti q…’ fillojnë të qëllojnë me armë në drejtim të të dëmtuarve”, thuhet në aktakuzë.
Hekuran Morina pastaj vdiq gjatë rrugës për në spital . Lëndime të rënda mori edhe Fadil Morina, i cili u godit me tre plumba, po ashtu me një plumb ishte goditur edhe Besim Hoti.
Gjatë këtyre të shtënave u vu në rrezik edhe jeta e qytetarit Shaip Beqiraj, ashtu që tani i ndjeri Hekuran Morina dhe i pandehuri Fadil Morina duke vepruar në zmbrapsje të sulmit, kanë gjuajtur me armë në drejtim të të pandehurve dhe e kanë goditur qytetarin Shaip Beqiraj duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
I akuzuarit Bernard Përlazri, po ashtu akuzohet edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për gjykimin e Përlazrit.
http://kallxo.com/bernard-perlazri-shan-kercenon-dhe-kerkon-te-gjykohet-nga-eulex-i/