Berisha: Beteja kundër ndërtimit të TC 'Kosova e Re' do të vazhdojë (Video)

Dajana Berisha nga Konsorciumi i Shoqërisë Civile të Kosovës për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka thënë për Kallxo.com se beteja kundër ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’ do të vazhdojë edhe më tutje.

“Si KOSID, ne do të vazhdojmë betejën tonë. Nëse mbërritëm të bindim Bankën Botërore, institucionin më të fuqishëm financiar në botë për financimin e projekteve zhvillimore të mirëfillta jam e sigurt që betejat tona veç do të forcohen akoma më shumë dhe aftësitë tona si Konzorcium i organizatave joqeveritare tashmë janë pothuajse mjaft të forta, ekspertiza jonë është shumë e fortë se e gjithë ministrisë dhe gjithë qeverisë që ekziston në Kosovë”, ka thënë Berisha për Kallxo.com.

Kjo deklaratë e Berishës ka ardhur pasi ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se edhe pas tërheqjes së Bankës Botërore nga financimi i termocentralit ‘Kosova e Re’ janë duke kërkuar burime alternative për financimin e termocentralit 1.3 miliard eurosh.

Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim dje ka deklaruar që Banka Botërore nuk do ta mbështesë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” në Kosovë.

“Po, ne kemi një qëndrim të fortë që të mos shkojmë përpara me termocentrale me qymyr sepse na është kërkuar nga biologët tanë që të shkojmë me opsionin me koston më të ulët dhe energjia e ripërtëritshme tani vjen poshtë kostos së qymyrit. Pra, pa asnjë dilemë, nuk do ta bëjmë këtë”, ka deklaruar Kim.

Kim shpalosi qëndrimin e Bankës Botërore rreth termocentralit 1.3 miliardë euro kur u pyet prej Visar Azemit, drejtorit ekzekutiv të  “Balkan Green Foundation” në takimet vjetore të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që po zhvillohen në Bali të Indonezisë.

“Siç e dini, Ballkani është duke u varur nga energjia fosile. Shtetet garojnë me njëra tjetrën se kush do ta dominojë sektorin e energjisë në rajon duke ndërtuar më shumë termocentrale. Në njërin nga projektet është angazhuar personalisht Banka Botërore në Kosovë, por sot dëgjuam nga drejtori juaj për klimën që ky projekt nuk është më në tavolinë për Bankën Botërore dhe ne do të donim të merrnim një konfirmim nga ju”, ishte pyetje e Azemit kundrejt Kim.

Dajana Berisha ka thënë se vendimi i Bankës Botërore për mos financimin e termocentralit Kosova e Re është një vendim shumë pozitiv dhe mjaft shpresëdhënës për të ardhmen europiane të qytetarëve të Kosovës .

“Ky vendim në mënyrë tjetër është shprehje e fitores së mendjeve, interesit qytetar, të gjitha këto të kombinuara me një gazetari investigative të cilat bashkërisht kanë funksionuar nën ombrellën e KOSID-it, për të cilën kemi punuar me vite e vite për të bindur si zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, si zyrtarët e Bankës Botërore për të mos financuar një projekt që do ta fuste Kosovën në një periudhë stagnimi, në një borxh shumëvjeçar dhe do t’ia vështirësonte pa masë rrugën drejt integrimit në Unionin Europian”, ka deklaruar Berisha.

Ajo më tej ka shtuar se është e rëndësishme që Banka Botërore më në fund ka kuptuar dhe ka marrë vendimin e jashtëzakonshëm që të mos të financojë jo vetëm këtë termocentral ‘Kosova e Re’ në Kosovë por edhe të mos financojë asnjëherë më investime në qymyr në të gjithë botën.

Dajana Berisha ka theksuar se KOSID-i ka pasur në dispozicion shumë më herët vendimin e Bankës Botërore për tërheqjen nga financimi i termocentralit ‘Kosova e Re’, i cili i është transmetuar edhe Qeverisë së Kosovës por që nuk është bërë publik.

“Por Qeveria e Kosovës ka rezistuar mos me e bo këtë lajm publik po e shoh që vazhdon të rezistojë dhe mos ta bëjë publik edhe sot pavarësisht se shumica e mediave vendore ndërkombëtare edhe të Kosovës po e transmetojnë këtë lajm, po e bëjnë publik, po ka analiza, po ka komente, Qeveria vazhdon ende të jetë e heshtur”, ka thënë ajo.

Një ndër sfidat gjatë viteve të avokimit për mos ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’, Berisha ka përmendur përballjen me Bankën Botërore dhe bindjen e tyre që nuk duhet të investohet në këtë termocentral

“Sfidë tjetër ka qenë edhe përballja me zyrtarë të Bankës Botërore për shkak të interesave të drejtpërdrejta për investim në thëngjill për shkak të fitimeve që investimet e tilla sjellin si bankë, jemi duke folur për një bankë pavarësisht që është institucioni më i madh, më i fuqishëm financiar që investon në projekte zhvillimore në fund të ditës mbetet një bankë që përfiton prej interesave të kredive që jep në vende, sidomos në vende që janë në zhvillim sikur Kosova”, ka potencuar Berisha.

Edhe investitori ‘Contour Global’ ka reaguar pas deklaratës së presidentit të Bankës Botërore për tërheqjen nga financimi i TC ‘Kosova e Re’, në takimin me shoqërinë civile në Bali të Indonezisë.

Themeluesi i ‘Contour Global’, Joseph Brandt ka përsëritur angazhimin e tyre në projektin e termocentralit ‘Kosova e Re’.

Brandt ka deklaruar se Banka Botërore nuk është e rëndësishme për përfundimin e suksesshëm të termocentralit ‘Kosova e Re’.

“Roli i Bankës kurrë nuk do të sigurojë financim për projektin dhe deklaratat e saj rreth projektit nuk kanë asnjë ndikim në këtë proces. Ne së bashku me Qeverinë e Kosovës mbetemi të vendosur për këtë projekt të rëndësishëm i cili arriti kulmin kritik të mbylljes komercial vitin e kaluar. Ne mbetemi të sigurt për sigurimin e financimit të nevojshëm dhe një afat kohor që do të shohë fillimin e ndërtimit të termocentralit në fillim të vitit 2019”, ka thënë Brandt, thuhet në njoftimin e Contour Global.

https://kallxo.com/contour-global-tc-kosova-e-re-ndertohet-pa-banken-boterore/

Edhe në reagimin e Qeverisë së Kosovës thuhet se projekti për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ do të finalizohet sepse është e vetmja zgjidhje për të arritur sigurinë e furnizimit me energji, që direkt ndikon në sigurinë nacionale të vendit.

“Sipas planifikimeve, ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” nis në pjesën e parë të vitit të ardhshëm”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Në njoftimin e MZhE-së thuhet që projekti për termocentralin ‘Kosova e Re’ ka mbështetje të madhe dhe të pakursyer të partnerëve strategjikë ndërkombëtarë.

“Një ndër projektet më të rëndësishme të Kosovës është Termocentrali “Kosova e Re”. “Kosova e Re” do të finalizohet sepse është e vetmja zgjidhje për të arritur sigurinë e furnizimit me energji, që direkt ndikon në sigurinë nacionale të vendit. Në të njëjtën kohë ne po vazhdojmë me avancimin e projekteve alternative nga burimet e ripërtëritshme, por nuk mund dhe as nuk guxojmë të eksperimentojmë me sigurinë e vendit”, thuhet në njoftim.