Avokati Besnik Berisha - Foto: KALLXO.com

Berisha: Aktakuza e Paqenë Trazoi Shumë Familje

Avokati Besnik Berisha kritikoi njoftimin e djeshëm të Ministrisë së Drejtësisë, sipas të cilit 10 zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës janë suspenduar përkohësisht nga puna pas ngritjes së aktakuzës kundër tyre.

Berisha tha se njoftimi i tillë i pakonfirmuar ka shqetësuar shumë familje, në mesin e tyre edhe atë të klientit të tij, Shemsi Hajrizit, zyrtar i Shërbimit Korrektues. Edhe sot ai e përsëriti se në këtë rast nuk ka aktakuzë.

“Ajo çfarë kam lexuar nga komunikata e Ministrisë së Drejtësisë rezulton të jetë në papërshtatshmëri me atë që në të vërtetë është duke ndodhur lidhur me hetimin kundër klientit tim dhe të tjerëve. Mund të konfirmoj se kundër klientit tim nuk ka aktakuzë as sot e kësaj dite lidhur me çështjen që ai dyshohet”, tha Berisha.

Dje Ministria e Drejtësisë njoftoi se 10 zyrtarë të Shërbimit Korrektues janë suspenduar përkohësisht pasi ndaj tyre Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë.

http://kallxo.com/shkarkime-masive-ne-burgjet-e-kosoves-pas-aktakuzes/

Ndërsa sot Ministria kërkoi falje për njoftimin e djeshëm duke thënë se është keqinterpretuar një shkresë e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

http://kallxo.com/ministria-e-drejtesise-e-pranon-gabimin-per-zyrtaret-e-burgjeve/

Lidhur me këtë, Besnik Berisha tha se lajmi i djeshëm ka trazuar shumë persona që janë të implikuar në hetim.

“Është shqetësuese se ato lajme kanë trazuar shumë familje, kanë trazuar shumë persona që janë të implikuar në këtë hetim dhe më e keqja është se si pasojë e një lajmi të tillë të pakonfirmuar, të një aktakuze të pangritur së paku 10 veta tani janë liruar nga detyra me arsyetimin se ka aktakuzë ndaj tyre”, tha Berisha.

Avokati tregoi pse sot ishte me klientin e tij në Prokurorinë Speciale. “Është në cilësi të të pandehurit për të sqaruar disa rrethana për pozitën e tij si ushtrues detyre në vitin 2014 i Shërbimit Korrektues të Kosovës”, u përgjigj Berisha.

Berisha u shpreh i bindur se ndaj klientit të tij nuk do të ketë fare aktakuzë. “Unë jam optimist që pas sqarimeve që do t’i ofrojë klienti im ndaj tij nuk do të ketë aktakuzë fare”, përfundoi Berisha.