Ismet Beqiri

Beqiri: Fyerja e Ambasadorit Është Fyerje ndaj Shtetit dhe Qytetarëve Amerikanë

Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri ka reaguar pas se deklaratës së Nasim Haradinajt ndaj ambasadorit të ShBA në Kosovë, Greg Delawie.

Ai e ka quajtur këtë deklaratë të papranueshme për LDK-në. “Deklaratat e kohëve të fundit, si ajo për gjoja përkrahjen e disa deputetëve (të LDK-së) për shfuqizimin e Gjykatës Speciale është vazhdim i shpifjeve dhe të pavërtetave. E kulmi i turpit është fyerja e sotme që i bëhet Ambasadorit Amerikan z.Delawie. Fyerja ndaj tij është fyerje ndaj Shtetit dhe qytetarëve Amerikan.”, ka theksuar Beqiri.

“Kjo është e papranueshme për LDK-në dhe anëtarësinë tonë, ne distancohemi fuqishëm. Kjo është e turpshme, e papranueshme për Kosovën dhe qytetarët e Kosovës”, ka shtuar ai në lidhje me deklaratën e nënkryetarit të OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili e quajti “palaço” ambasadorin amerikan.

“Miqësia me popullin dhe shtetin Amerikan do të jetë e përhershme, i pëlqeu apo jo individëve të papërgjegjshëm.”, ka shkruar Beqiri në Facebook. /21Media