Ismet Beqiri

Beqiri: Argumente, Jo Fyerje për Vdekjen e Deharit

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri në debatin për vdekjen e Astrit Deharit kërkoi që diskutimet të bazohen në argumente e jo në fyerje e fjalë të rënda mes deputetëve.

“Në seancën e sotme megjithë peshën e rëndë të rastit të mos flitet me fymje, e fjalë të rënda,” tha Beqiri.

Ai deklaroi se LDK-ja nuk ishte për mosmbajtjen e seancës.

“Asnjëherë nuk kemi qenë që kjo temë Të mos shtrohet në kuvend, por të presim mjeko-ligjorët e raportin hetimor, edhe pse ky i fundit ende nuk ka dalë,” tha Beqiri.

Beqiri u shpreh kundër përfitimit politik nga ky rast.

“Askush nga ne nuk duhet shfrytëzu për çfarëdo përfitimi politik. Më vjen sinqerisht shumë rëndë ta them këtë, por në asnjë rrethanë nuk duhet të politizohet rasti Dehari,” tha Beqiri.

Ai deklaroi se duhet t’u besohet institucioneve në ato që kanë deklaruar për këtë rast, por nëse kemi dyshime në këto institucione mund të kërkojmë ndihmë për hetimin e kësaj vdekjeje.

Beqiri duke thënë se nuk po krahasoj asgjë kërkoi edhe zbardhjen e vrasjeve të pasluftës të aktivistëve të LDK-së.

Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor derisa po mbahej i paraburgosur si i dyshuar për sulmin me raketahedhës në ndërtesën e Kuvendit më 4 gusht.

Instituti i Mjekësisë Ligjore më 18 nëntor vdekjen e tij e konsideroi vetëvrasje, por ekspertë të pavarur të ngarkuar nga familja për sqarimin e kësaj vdekjeje thanë më 16 dhjetor se Dehari u vra.

“Vetëvendosja” në nëntor dështoi të mbledhë 40 nënshkrime për këtë seancë pasi deputetët Bislim Zogaj, Danush Ademi e Veton Berisha tërhoqën nënshkrimet.

Shoqëria civile më pas më 29 nëntor nënshkroi peticionin me 23 mijë e 774 nënshkrime në të cilën kërkohet hetim i pavarur për vdekjen e Deharit, dorëheqje e ministrave të drejtësisë e punëve të brendshme dhe seancë të jashtëzakonshme për këtë vdekje.

Aktivistë të shoqërisë civile do të mblidhen sot para institucioneve qendrore të shtetit në kohën kur do të zhvillohet seanca për Deharin.

shoqeria

Sot Kuvendi prej orës 15:00 ka paraparë edhe vazhdimin e seancës së rregullt ku do të votohet për pikat e rendit të ditës për të cilat nuk u votua gjatë seancave të kaluara nga mungesa e kuorumit.