Seanca gjyqësore pvr tenderin 6 milionësh të KEK-ut. Foto: Kallxo.com

Beqir Kalludra: Arben Gjukaj do të Arrestohet Nëse nuk Paraqitet në Gjykatë

Gjykimi për tenderin 6 milionësh të KEK-ut është shtyrë në mungesë të të akuzuarit Arben Gjukaj, drejtor aktual i KEK-ut.

Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra deklaroi se meqenëse i akuzuari Arben Gjukaj nuk e ka arsyetuar mjaftueshëm mungesën e tij të sotme, nëse vazhdon të mos paraqitet do të lëshohet urdhëresë për caktim të paraburgimit.

Gjykatësi Beqir Kalludra komunikoi në sallë të gjykatës se mbrojtësi Ramë Gashi ia ka dërguar një parashtresë përmes të cilës e ka arsyetuar mungesën e Gjukajt me faktin se i njëjti ka udhëtuar për në trajtim mjekësor në Turqi për shkak të gjendjes shëndetësore të prindit të tij. Mirëpo, mungesa e tij sipas Kalludrës do të trajtohet si e paarsyeshme.

“Lajmërimi një ditë përpara është mos respektim ndaj shtetit e gjykatës”, tha Kalludra.

Dëshmitarët e pranishëm në sallë ishin Arben Çerkini, Ymer Dragusha, Fatlum Berbovci, Avni Lushtaku dhe Arbër Krasniqi.

Në këtë proces gjyqësor Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për veprën penale mashtrim, ish- drejtori i Prokurimit në KEK Driton Pruthi, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa Sami Lushtaku, akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare e nAzem Duraku akuzohet për nxitje në keqpërdorim.

Tenderi 6 milionësh lidhej me sigurimin e objekteve të KEK-ut. Hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

Seanca e radhës do të mbahet të nesërmen në orën 9:30. Raportimet për këtë rast mund t’i lexoni në këtë link.

http://kallxo.com/gjendja-shendetesore-e-lushtakut-shtyn-gjykimin-per-tenderin-e-kek-ut/