Beogradi Kritikon Dënimin e Ivanoviqit

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq tha se dënimi i Ivanoviqit për krime lufte ishte i motivuar politikisht, ndërsa mbështetësit e liderit të partisë serbe të Kosovës u betuan se do të protestojnë në Beograd.

Vendimi i gjyqtarëve të EULEX-it “ngjan më shumë si një forcë politike sesa si ligj dhe drejtësi,” tha Vuçiq të enjten pasdite.

“Sigurisht që dikush donte të bënte lëshime për palën shqiptare me besimin se ata duhet të shpërblehen disi,” shtoi ai.

Megjithatë, Vuçiq minimizoi sugjerimet nga zyrtarët e tjerë serbë se vendimi mund të ndërpriste progresin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

“Serbia do ta ndihmojë Ivanoviqin dhe familjen e tij, por do të luftojë gjithashtu edhe për interesat kombëtare,” tha ai.

Ivanoviq është një ish-zyrtar i qeverisë serbe dhe kreu i një partie politike të serbëve të Kosovës të quajtur Liri, Demokraci, Drejtësi dhe shihet si një politikan i moderuar në politikën e serbëve të Kosovës.

Të enjten ai u shpall fajtor për urdhërimin e vrasjes së nëntë shqiptarëve etnikë në Mitrovicë më 14 mars 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s, kur mendohet se ishte lideri i një njësie policore paraushtarake.

Shqiptarët u vranë nga të ashtuquajturit “Rojat e Urës” – ekstremistë serbë që patrullonin urën kryesore në Mitrovicë që ndan qytetin në zonën serbe dhe atë shqiptare.

Por Ivanoviq u shpall i pafajshëm për nxitje të vrasjes së dhjetë shqiptarëve etnikë nga “Rojat e Urës” gjatë trazirave që shpërthyen në Mitrovicë më 3 shkurt 2000, kur shumë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre nga serbët.

Veljko Odaloviq, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Serbisë dhe kreu i Komisionit Serb për Personat e Zhdukur tha të premten se vendimi ndaj Ivanoviqit kishte si qëllim të qetësonte shqiptarët e Kosovës para ngritjes së Gjykatës se re Speciale, e cila do të gjykojë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe të pasluftës.

“Vendimi sjell një ekuilibër të nevojshëm për të qetësuar publikun në Kosovë për ta pranuar më lehtësisht gjykatën. Kjo nuk duhet të ndodhë. Nuk mund të bësh tregti me krimet e luftës dhe krimet e luftës nuk duhet të kenë lidhje me politikën,” tha Odaloviq.

Mbështetësit e Ivanoviqit lajmëruan se të shtunën do të organizojnë një protestë në qendër të Beogradit.

“Pas dhënies së këtij vendimi të turpshëm ne vendosëm t’u japim një mundësi qytetarëve të Serbisë të mbështesin Oliverin,” tha Aleksandër Zobenica, një nga organizatorët.

Ministri serb i Drejtësisë Nikola Selakoviq ndërkohë u shpreh se qëllimi i vendimit të Ivanoviqit ishte të kanoste serbët që jetojnë ende në Kosovë.

“Kjo nuk ishte një procedurë gjyqësore, por një farsë politikë që kishte si qëllim të dënonte politikisht një nga figurat më të shquara të serbëve të Kosovës dhe të destabilizonte komunitetin serb në Kosovë,” tha Selakoviq për mediat ditën e enjte.

Ish-shefi i policisë serbe Dragoljub Delibasiq u shpall i pafajshëm për nxitje vrasjeje më 3 shkurt 2000.

Aleksandar Lazoviq dhe babë e bir, Nebojsa dhe Ilija Vujaçiq u shpallën të pafajshëm për vrasje të rëndë në të njëjtën datë. Njësoj si Ivanoviqi, ata mendohet se ishin “Roje Ure” në kohën e trazirave.

Të gjithë të pandehurit gjatë gjykimit e kishin deklaruar veten të pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura.