Stanishiq dhe Simatoviq në Gjykatë. Foto: MICT.

Beogradi ‘Kontrollonte Luftëtarët' që Kryen Krime në Kroaci

Një ekspert ushtarak i prokurorisë tha në gjyqin e sih-krerëve të Sigurimit të Shtetit në Serbi, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq se njësitë nën kontrollin e shërbimit kryen krime kundër civilëve jo serbë në Kroaci në vitin 1991.

Eksperti ushtarak Rejnaud Theunens dëshmoi në gjyqin e Stanishiqit dhe Simatoviqit në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë të mërkurën se njësitë e Sigurimit Serb të Shtetit (SDB) u përfshinë në krime gjatë luftës kroate në vitin 1991.

Theunens citoi raporte në terren nga organet e inteligjencës të Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë për krimet e kryera nga anëtarët e Gardës Vullnetare të Serbisë të udhëhequr nga Zhelko Raznatoviq, i njohur ndryshe si Arkani, dhe nga njësi të tjera vullnetare dhe paraushtarake serbe, të cilat sipas gjetjeve të dëshmitarit, ishin nën kontrollin e të pandehurve Stanishiq dhe Simatoviq.

Theunens tha se krimet u kryen nga luftëtarët serbë në rajonin e Kninska Krajinës të Kroacisë, përfshirë fshatin Skabrnja, dhe në qytetin e Vukovarit dhe vende të tjera në rajonin e Sllavonisë Lindore.

Ai citoi një raport nga organet e inteligjencës të Forcave të Mbrojtjes Territoriale Serbe që nga vjeshta e vitit 1991, ku thuhej se “Arkani dhe vullnetarët e tij po kryenin gjenocid të pakontrolluar në Vukovar”, po përhapnin “terror” dhe ishin jashtë kontrollit.

Sipas raporteve të Ushtrisë Popullore Jugosllave të cituara nga Theunens, luftëtarë që kishin lidhje me SDB-në serbe ishin gjithashtu të përfshirë në transferimin dhe dëbimin e dhunshëm të popullsisë jo-serbe nga Kninska Krajina dhe rajoni i Sllavonisë Lindore.

Ai pohoi se këto krime ishin kryer për hir të “marrjes së kontrollit mbi territoret e pretenduara nga serbët”, gjë e cila, sipas aktakuzës, ishte qëllimi i një sipërmarrjeje të përbashkët kriminale, protagonistët e të cilëve përfshinin Stanishiqin dhe Simatoviqin, së bashku me presidentin serb Sllobodan Millosheviqin dhe Arkanin.

Jovica Stanishiq, ish kreu i sigurimit të shtetit në Serbi, dhe ish ndihmësi i tij Franko Simatoviq akuzohen për pjesëmarrje në një sipërmarrje të përbashkët kriminale që synonte largimin e përhershëm me dhunë të kroatëve dhe boshnjakëve nga pjesë të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilat më pas do të inkorporoheshin në një shtet të unifikuar serb.

Sipas Theunens, në vitin 1991, policia serbe dhe SDB-ja jo vetëm që e lejuan, por inkurajuan vendosjen e forcave paraushtarake dhe luftëtarëve vullnetarë në fushat e betejës në Kroaci.

Nëpërmjet agjentëve të saj, SDB-ja serbe krijoi gjithashtu kampe për stërvitjen e trupave të forcave speciale, siç është ai në Golubic, pranë Kninit, ku Dragan Vasiljkoviq, i njohur edhe si kapiten Dragani, ishte instruktor.

Theunens citoi një raport nga Simatoviqi i cili thoshte se më 13 prill 1991 kreu i SDB-së dhe kapiteni Dragani morën në konsideratë mundësinë e angazhimit të Vasiljkoviqit në Knin “sipas një plani të paraqitur më parë atij (Simatoviqit)”.

Sipas një dokumenti të nënshkruar nga ministri i atëhershëm serb i mbrojtjes Tomislav Simoviq, të cilin Theunens e citoi gjithashtu, “Kapiteni Dragani u ftua në vend nga SDB-ja serbe” dhe bashkëpunoi me Stanishiqin dhe Radmilo Bogdanoviq, i cili ishte ministri i brendshëm serb në atë kohë.

Theunens u shpreh se urdhri i Simatoviqit për të transferuar armë nga kështjella e Kninit në Golubic në verën e vitit 1991 ishte dëshmi se shefi i SDB-së kishte autoritetin për të ushtruar komandën në zonën Kninska Krajina të Kroacisë.

Kapiteni Dragani u dënua me 15 vjet burg nga një gjykatë e Zagrebit shtatorin e kaluar për krime lufte në Kroaci.

Stanishiq dhe Simatoviq deklaruan të dy se ishin të pafajshëm në dhjetor të vitit 2015 pasi apeli në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë rrëzoi vendimin e mëparshëm për lirimin e tyre nga akuzat.

Gjykata e apelit vendosi se kishte gabime serioze ligjore dhe faktike kur Stanishiq dhe Simatoviq u liruan fillimisht nga akuzat për krime lufte në vitin 2013.

Ajo urdhëroi që çështja të rigjykohej dhe të gjitha provat dhe dëshmitarët të ridëgjoheshin plotësisht nga gjyqtarët e rinj.

Theunens do të vazhdojë të dëshmojë të enjten.