Benificione të Përjetshme për Sportistët e Suksesshëm në Botë?

Kampionia evropiane në xhudo, Majlinda Kelmendi, dhe fituesja e medaljes së bronztë, Nora Gjakova, ishin sot mysafire në zyrën e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ato ishin të shoqëruara nga trajneri i tyre Driton Kuka dhe nga Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës Agron Kuka. 

Kryetari i Kuvendit Veseli premtoi se do të bëjë përpjekje për të ofruar kushte sa më të mira për sportistët e vendit.

Madje ai tha se do ta përkrahë edhe ndryshimin eventual të ndonjë ligji i cili u jep privilegje më të mëdha sportistëve që i sjellin Kosovës suksese në arenën ndërkombëtare.

“Përkrahje do të kenë. Jemi të gatshëm me ndryshu edhe çdo ligj që është i nevojshëm që të ketë edhe beneficione jetësore. Përderisa burokracia e politika ka të drejtë me pas beneficione jetësore, këta kanë të drejtë edhe këta duhet me pas”, tha Veseli. 

Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova kaluan në sallën e seancave aty ku u dha edhe një premtim nga Veseli se pas kthimit nga Lojërat Olimpike në Rio në verë të këtij viti, ato do të priten me një seancë të veçantë solemne në Kuvend.

“Po ju jap fjalën se pas titullit, kemi me ju pritë me seancë solemne në Kuvend të Republikës së Kosovës”, tha Veseli.

Të dyja xhudistet treguan sukses në kampionatin europian në Rusi ku u kthyen me medalje nga atje ndërsa suksesi i tyre u përcoll me ngritje të flamurit dhe intonim të himnit shtetëror në një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.