Facebook/ Asamblisti, Hysni Mehani

Bekim Jashari zotohet se do të zgjidhë problemin me gurthyes të banorëve të Qirezit

Banorët e fshatit Qirez të Skenderajt po ndjehen të rrezikuar nga dridhjet e tokës nga veprimtaria e gurthyesve e cila ndodhet vetëm pak metra larg shtëpive të tyre.

Përmes pankartave ‘Gurët vrasin’, ‘S’duam frikë në shtëpitë tona’, ‘Mos na vrisni’, banorët protestuan dy ditë duke bllokuar rrugën e fshatit.

Pas interesimit të KALLXO.com për këtë çështje Komuna e Skenderajt, ka lëshuar një komunikatë për media në rrjetin social ‘Facebook’ duke thënë se, shqetësimet e këtyre banoreve janë edhe të kryetarit, Bekim Jashari.

Jashari zotohet se si Komunë do të ndërmarrë të gjitha kompetencat për të gjetur një zgjidhje për këtë situatë.

“Pas shqetësimeve të ngritura nga banorët e fshatit Qirez, lidhur me aktivitetin e gurthyesit në këtë fshat, i cili, sipas banorëve, po rrezikon jetën e tyre dhe po e ndot ambientin, ne si Komunë kemi ndërmarrë të gjitha veprimet në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive që kemi, për të gjetur një zgjidhje dhe për të tejkaluar situatën e paraqitur”, citohet të ketë thënë Jashari të hënën.

Ai thotë se problemin në fjalë ta zgjedhin sa më shpejt që është e mundur, duke shtuar se janë në pritje të vlerësimit nga inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilët kanë dal në terren për të parë nga afër situatën.

“Pa i dhënë konotacion politik këtij problemi, do të jam përkrah banorëve të fshatit Qirez, dhe do të bëjë ç ‘është e mundshme në bazë të autorizimeve që kam, që problemin në fjalë ta zgjidhim sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë i pari i Skenderajt.

Ndërkaq, përkrah banorëve është shprehur edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e cila thotë se në vazhdimësi është  takuar me përfaqësuesit e Ministrisë se Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke u zotuar se do te merren me këtë çështje deri ne zgjidhjen e këtij problemi.

“Nuk guxojmë te presim deri sa te ndodhe ndonjë tragjedi qe ne te reagojmë”, ka shkruar mes tjerash Musliu në rrjetin social ‘Facebook’ gjatë javës së kaluar.