Bekim Jashari uron për Ushtrinë

Qytetarët e Skenderajt kanë festuar  formimin e Ushtrisë së Kosovës në sheshin “Adem Jashari”.

Kryetari i Komunës, Bekim Jashari para shtatores së Komandantit Legjendar të UÇK ‘Adem Jashari’ u tha qytetarëve se pas pavarësisë së shtetit, sot është dita më e shënuar në kalendarin e historisë së kombit shqiptar.

“Sot Republika e Kosovës, zyrtarisht bëhet me ushtri, ushtrinë tonë. Kjo ditë, është historike, për shumë arsye. Është ditë, aq e rrallë dhe shumëpritur, dhe zgjon ndjenjat më të thella, emocionet më fisnike të çdo qytetari, atdhedashës. Sepse, nga sot krahas vlerave të shtetit tonë, po i shtohet edhe vlera më e devotshme, për të qenë në ballë të sigurisë tonë, në ballë të paqes tonë, në ballë të qëndresës tonë”, tha Jashari.

Në ketë rast i pari i Skenderajt përkujtoj të rënët për liri, dhe shtoi se tashmë ushtria do të ketë misionin e prodhimit të paqes dhe sigurisë për kosovarët.

“Për të ardhur te kjo ditë, ne do të kujtojmë rezistencën e gjeneralëve tanë, si Ahmet Delia, Azem Bejta, Shaban Polluzha e Tahir Meha. Do të kujtojmë sot me nderim të thellë edhe komandantin tonë legjendar, Adem Jasharin, Babën Shaban e Babën Hamëz. Të gjithë këta heronj të kombit, kanë emëruesin e përbashkët, luftën, rezistencën dhe mbrojtjen e krenarisë, me armë, deri në sakrificë”, tha Jashari.

“Këtë frymë të disiplinës dhe devocionit ndaj Atdheut, të trashëguar me krenari nga UÇK, sot, ushtarët tanë, do të jenë krenaria jonë, duke iu bashkuar përvojës dhe traditës së ushtrisë gardiane të paqes e demokracisë në botë, ushtrisë së ShBA-së, e së shpejti shpresojmë edhe në NATO, duke qenë edhe prodhuese e paqes dhe sigurisë në këtë pjesë të Evropës”, shtoi kryetari Jashari.

Tutje ai tha se “pranë varrezave në Prekaz, para vendit ku pushojnë Komandanti legjendar Adem Jashari, Baba Shaban, Baba Hamëz e pjesëtarët tjerë të familjes tonë, sot, do të them me shpirt e me zemër Komandant, Ushtria u bë. Urime, e gëzofshim Ushtrinë”.

 

 

Lindja e Ushtrisë së Kosovës

.