Bekim Jashari flet për sulmin e 21 viteve më parë mbi familjen Jashari

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka kujtuar sulmin e 21 viteve më parë mbi familjen Jashari nga forca policore serbe.

Jashari, djali i Hamzë Jasharit, kujton momentin kur mbeten të plagosur shumë anëtarë të familjes, pas sulmit për herë të dytë brenda pak muajsh, duke shtuar se forcat e shumta policore serbe ishin të pozicionuar pak metra larg shtëpive të familjes.

“Edhe përkundër një aksioni policor që kishte ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të 22 janarit të vitit 1998, në një sulm tinëzar, ku mbeten të plagosura vajza e Rifatit Iliriana dhe Hamzës, Selvetja, meshkujt e familjes por edhe anëtarët tjerë, iu kishin përgjigjur në të njëjtën mënyrë krismave të armikut”, rrëfen Jashari përmes një postimi në “Facebook”.

Bekim Jashari , kryetar i Komunës së Skenderajt | Foto: KALLXO.com

“Pas kësaj ngjarjeje, Familja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, e kishte të qartë se forcat policore serbe herët a vonë do të ktheheshin përsëri në Prekaz”, ka shtuar kryetari Jashari.

Më 22 Janar 1998, Adem Jashari nuk ndodhej në shtëpi, e që rezistencë sulmit të policisë serbe i kishin bërë Shabani e Hamza, me nipa e mbesa.

Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998 dhe kishte zgjatur deri më 7 mars.

Pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin.