
Bekim Haxhiu- Kamishi gjatë seancës së sotme në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Bekim Haxhiu i Pakënaqur me Vendimin, Akuzon Gjykatën
I pakënaqur me vendimin e gjykatës për lirimin e kolegëve deputetë Rexhep Selimit dhe Visar Ymerit, deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu ka lansuar një varg akuzash kundër gjykatësit të çështjes Vesel Ismajli.
Pak minuta pasi kuptoi lajmin që Selimi e Ymeri u shpallën të pafajshëm, Bekim Haxhiu e ka akuzuar gjykatësin për mungesë integriteti.
”Gjyqtari Vesel Ismajli nuk ka integritet dhe nuk pati guxim që të nxjerrë aktgjykim dënues për krerët e LVV-së, dhe e dënoi një anëtar të vogël të këtij subjekti”, ka thënë Haxhiu.
Deputeti i PDK-së e ka akuzuar gjykatësin Ismajli duke pretenduar se ai ka pasur për qëllim që për incidentin ku ai përfundoi i rrahur ta dërgojë në parashkrim.
Në muajin qershor të vitit 2012 një debat në Kuvendin e Kosovës kishte eskaluar në një konflikt fizik në hollin e Kuvendit.
Prokuroria pretendon se gjatë incidentit, deputetët e VV-së Rexhep Selimi, Visar Ymeri, Florim Krasniqi dhe shoferi Besart Bujupi e goditën me grushte deputetin e PDK-së Bekim Haxhiu.
Në procesin e zhvilluar në gjykatën e Prishtinës, gjykata konstatoi se nuk ka prova që Rexhep Selimi e Visar Ymeri e kanë goditur deputetin Haxhiu.
Prova e vetme për goditjet sipas gjykatës është se i pandehuri Besart Bujupi i kishte shkaktuar lëndimet ndaj deputetit Haxhiu.
http://kallxo.com/ymeri-e-selimi-te-pafajshem-per-rrahjen-e-kamishit/
Bujupi i cili në atë kohë ishte shofer i Rexhep Selimit, është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht ndërsa gjatë gjithë kohës e ka mohuar fajësinë.
Procesi ndaj deputetëve ka nisur rreth një vit më parë ndërsa në të njëjtin në asnjë rast nuk është paraqitur ish deputeti Florin Krasniqi i cili ndodhet në Amerikë.
Prokurorja e rastit në seancën e sotme ka paralajmëruar ankesë ndaj vendimit edhe përkundër faktit se çështja zyrtarisht do jetë e parashkruar në qershor të këtij viti.
Procesi gjyqësor ndaj deputeteve ishte karakterizuar me replika e debate të ashpra ndër më të famshmit ishte debati në mes Rexhep Selimit e Bekim Haxhiut. Në një rast, Selimi kishte deklaruar se njerëzit të cilët e rrëzojnë atë për tokë “nuk jetojnë”, ndërsa deputeti Haxhiu në një moment e kishte konfirmuar se ai nuk është në rolin e Chuk Norrisit, Superman-it apo Batman-it.