Behgjet Pacolli reagon pas arrestimit të dy punonjësve të UNMIK-ut

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka reaguar pas arrestimit të një shtetasi rus i punësuar në UNMIK dhe një zyrtari lokal të kësaj organizate.

Pacolli përmes një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se Ministria të cilën e udhëheq do ta trajtojë çështjen bazuar në të drejtën ndërkombëtare.

Ai gjithashtu ka thënë se Policia e Kosovë ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme për detajet e ngjarjes.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka thirrur UNMIK-un për sqarime dhe do të vazhdojë të punojë ngushtë me autoritetet e zbatimit të ligjit për të sqaruar situatën e pranisë së zyrtarit ndërkombëtar dhe lokal të UNMIK-ut në barrikadë”, ka shkruar Pacolli.

Në bazë të raportimeve të deri tanishme nga ekipet e KALLXO.com të cilët kanë raportuar në vazhdimësi për aksionin e policisë,  nga ky aksion është plagosur një zyrtar policor, dhe tre të tjerë janë lënduar, ndërsa janë arrestuar gjithsej 19 zyrtarë policorë dhe 10 qytetarë të dyshuar si pjesë e rrjeteve të kontrabandës.

Gjithashtu, KALLXO.com raportoi se shtetasi rus i punësuar në UNMIK, i arrestuar paraditen e sotme gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në veri të vendit, është liruar nga arresti.

Lirimin e shtetasit rus gjatë ditës e ka kërkuar edhe UNMIK si dhe Ministria e Jashtme e Rusisë.

https://kallxo.com/arrestime-plagosje-e-barrikada-nga-aksioni-i-sotem-i-policise-se-kosoves/

www.kallxo.com