Pamje nga diskutimet e të akuzuarve me prokurorin Charles Hardaway në njërën prej seancave të kaluara - Foto: KALLXO.com

Bëhet Pastrimi i Aktakuzës në Rastin e Limajt

Vendimi u mor në një seancë me tensione në mes të prokurorit Charles Hardaway dhe mbrojtjes së të akuzuarve të këtij rasti.

Në tetor të vitit të 2016, pas ankesës nga mbrojtja, Gjykata e Apelit kishte marrë vendim që disa prej provave në aktakuzën e ngritur ndaj të akuzuarve Fatmir Limaj dhe të tjerëve, të shpalleshin si prova të panevojshme dhe të papranueshme.

Përkundër vendimit të Gjykatës së Apelit, këto prova vazhdonin të ishin pjesë e aktakuzës së konsoliduar, e cila përmban provat e rastit MTPT 1 dhe MTPT 2.

Mbrojtja dhe të akuzuarit e rastit MTPT kërkonin që të respektohej vendimi i Gjykatës së Apelit, me ç’rast provat e cilësuara si të panevojshme të pastroheshin nga aktakuza.

“Kërkoj të respektohet vendimi i Gjykatës së Apelit dhe Prokuroria t’i përmbushë detyrimet ndaj Gjykatës së Apelit duke e pastruar aktakuzën nga këto prova të shpallura si të papranueshme”, tha i akuzuari Limaj.

Një gjë e tillë u kundërshtua nga ana e prokurorit Charles Hardaway, me arsyetimin se pastrimi i aktakuzës mund të ndodhë në një fazë të mëvonshme pasi që provat e cilësuara si të papranueshme nuk do të përdoren gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe nuk janë thelbi i akuzave.

“Mbrojtja ka pasur kohën e duhur që ka mundur t’i kundërshtojë apo mënjanojë provat”, theksoi prokurori Hardaway.

E kësaj iu kundërpërgjigj avokati mbrojtës i Limajt, Tahir Rrecaj, me pretendimin se qëllimi i Prokurorisë është ta ngulfatë mbrojtjen dhe Gjykatën.

“Ne nuk na interesojnë tenderët për Skenderaj, Vushtrri, Ferizaj, Pejë, Gjakovë dhe dreqi e di ku tjetër. Kjo është me qëllim që me na ngulfate, që unë me i kontrollu të gjitha këto dosje me ditë e me muaj”, tha Rrecaj.

“Ne sot e dëgjuam prokurorin që kërkoi që pastrimi i aktakuzës të ndodhë në një fazë më të vonshme, një arsyetim për mua krejtësisht i çuditshëm, kinse në këtë fazë do të krijojë konfuzion. Unë konsideroj se Prokuroria tanimë është vonuar shumë në spastrimin e kësaj aktakuze sepse pastrimi i aktakuzës është dashur të bëhet para se të fillojë ky shqyrtim gjyqësor”, shtoi Rrecaj.

Pas debatit të nxehtë në mes mbrojtjes, të akuzuarve dhe prokurorit Hardaway, trupi gjykues në krye me gjyqtaren e EULEX-it, Maria Tuma, mori aktvendim që provat e cilësuara si të panevojshme nga Gjykata e Apelit të hiqeshin nga aktakuza.

“Trupi gjykues ia ndalon Prokurorisë të prezantojë apo t’u referohet cilësdo provë që është shpallur si provë e papranueshme nga ana e Gjykatës së Apelit”, tha Tuma.

KALLXO.com ka përcjell në vazhdimësi këtë proces gjyqësor dhe raportet mund t’i gjeni në këtë link.

Në procesin e njëjtë me Limajn me të njëjtat akuza nga Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe biznesmeni Florim Zuka.

Limaj këtë aktakuzë, që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet “MTPT 1” dhe “MTPT 2”, më 30 tetor të vitit 2015 e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

Redaktoi: Naser Sertolli