Protesta në Shkup - Foto: Boris Grdanoski/AP

Bëhet e dhunshme protesta e ‘emrit’ në Maqedoni (Foto)

Nëntë vetë u plagosën në protestën e natës të së dielës të organizuar nga maqedonasit e krahut të djathtë në Shkup, përfshirë shtatë policë dhe dy gra. Rreth 25 vetë u arrestuan.

Protesta, e organizuar nga grupet e tifozëve sportivë në rrjetet sociale dhe të cilës iu bashkuan nacionalistë dhe të tjerë të krahut të djathtë, u bë e dhunshme rreth orës 23:00.

Grupe të rinjsh, disa prej tyre me maska, më pas sulmuan policinë me gurë dhe shashka dhe u përpoqën të thyenin kordonin e policisë dhe të sulmonin ndërtesën e parlamentit.

Policia ndërhyri me makina të blinduara, granata zhurmuese dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën prej rreth 2,000 personash në disa drejtime në qendër të qytetit.

Protestuesit denoncuan nënshkrimin e një marrëveshjeje të shumëpritur me Greqinë për emrin e Maqedonisë që u zhvillua më herët të dielën në rajonin kufitar të Prespës.

Sipas marrëveshjes, Maqedonia do ta ndryshojë emrin e saj në “Republika e Maqedonisë Veriore” në këmbim të hyrjes në NATO dhe fillimit të bisedimeve të pranimit në BE.

Para se tubimi të bëhej i dhunshëm, turma e zemëruar bërtiti “Te trekëmbëshat e varjes!” dhe “Tradhtarët!” për kryeministrin Zoran Zaev dhe qeverinë e tij të qendrës së majtë – e cila ka çuar përpara marrëveshjen greke.

Lideri i një partie të vogël pro-ruse, Maqedonia e Bashkuar, Janko Bacev, u vu re në protestë duke mbajtur flamuj maqedonas dhe rus.

Në një incident tjetër, një makine që i përkiste babait të deputetit maqedonas Hari Lokvenec, nga radhët e social demokratëve në pushtet, iu vu zjarri natën e së dielës në qytetin qendror të Prilepit nga autorë të panjohur, deklaroi policia.

Lokvenec ishte ndër deputetët që më herët atë ditë morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë. (reporter.al)