Betimi i avokatëve. Visar Musa i pari në rendin e dytë | Foto: Oda e Avokatëve

Bëhet Avokat Prokurori që Drekoi me të Akuzuarin

Ish-prokurori Visar Musa tash e tutje do të ushtrojë detyrën e avokatit, pasi dha betimin për kryerjen e kësaj pune.

Sipas një lajmi të publikuar më 10 shkurt në faqen e internetit të Odës së Avokatëve të Kosovës, Musa ishte njëri nga 17 kandidatët për avokatë që dhanë betimin para kreut të Odës Osman Havolli.

Para se t’i rikthehej punës së avokatit, Musa ishte prokuror në Prokurorinë Themelore të Ferizajt.

Në nëntor të vitit të kaluar “Drejtësia në Kosovë” shfaqi hulumtimin në të cilin tregoi se prokurori Visar Musa kishte drekuar me të akuzuarin Raif Rama.

Musa atëherë tha për “Drejtësia në Kosovë se nuk e kishte ditur që po drekonte me një të akuzuar, ndërsa pjesë e takimit ishte edhe gjyqtari Adem Shabani.

http://kallxo.com/si-u-takua-ne-dreke-prokurori-te-akuzuarin/

Më 26 nëntor 2016 pak kohë pas shfaqjes së emisionit, Visar Musa dha dorëheqje nga pozita e prokurorit.

http://kallxo.com/jep-doreheqje-prokurori-qe-drekoi-te-akuzuarin/

Katër ditë më vonë dorëheqja e Musës u miratua në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

http://kallxo.com/miratohet-doreheqja-e-prokurorit-qe-drekoi-te-akuzuarin/

KALLXO.com i shkroi dhe e telefonoi ish-prokurorin Visar Musa për ta pyetur rreth vazhdimit të karrierës së tij si avokat, por nuk mori përgjigje prej tij.

Edhe Oda e Avokatëve të Kosovës ende nuk është përgjigjur për KALLXO.com rreth betimit të Visar Musës.