Begzad Sinani, ish-kryetari i Komunës së Kamenicës - Foto: KALLXO.com

Begzad Sinani Nuk Komenton Përgjysmimin e Votave të PAN-it

Për dallim nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 në zgjedhjet e së dielës tri partitë e koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN) kanë marrë gati përgjysmë më pak vota.

I lutur të komentonte rezultatet në komunën që ai e drejton, ku Lëvizja Vetëvendosje ka triumfuar bindshëm, Sinani tha që për këtë çështje të marrim komentin e kryetarit të degës së PDK-së e jo të tij.

“Mirë është me e pyet kryetarin e degës. Unë jam kryetar i Komunës jo i degës”, tha Sinani për KALLXO.com

I pyetur nëse performanca e tij në Komunë ka reflektuar në votat e PDK-së, Sinani thotë se kjo nuk ka lidhje me punët komunale.

“Nuk lidhje kjo me zgjedhjet lokale. Nuk ka të bëjë asgjë Komuna, punët në terren ose në lokalitete. Edhe në fushatë është diskutuar gjëra të tilla, si puna e demarkacionit e asociacionit, nuk është diskutuar për punët e komunës”, tha Sinani.

Edhe pas insistimit të KALLXO.com që të marrë një koment të kryetarit Sinani, ai nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje.

Sipas KQZ-së Vetëvendosja është partia e parë në Kamenicë me një rritje prej 126% në zgjedhjet e kaluara. VV në këto zgjedhje ka fituar 5 mijë e 844 e ndjekur nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa me 4 mijë 340.

Koalicioni PAN renditet i treti me 3 mijë e 252 vota. Ky koalicion pësoi rënie për 47 për qind në krahasim me zgjedhjet parlamentare të 2014-ës.