Bashkimi Europian kundër Haradinajt: Vendimi për mos akreditim të universiteteve ishte i vështirë por i drejtë

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka dalë me një deklaratë publike rreth vendimeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) për tërheqjen e akreditimit të tri universiteteve publike dhe katër kolegjeve private.

Në deklaratën e tyre thuhet se arsimi është prioritet i BE-së për Kosovën dhe se përmirësimi i arsimit në Kosovë është plotësisht i nevojshëm.

“Me 15 korrik, Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC), ka marrë vendim që t’ia tërheq akreditimin tri universiteteve publike dhe katër kolegjeve private. Ky vendim do të ketë ndikim në regjistrimin e studentëve për këtë vit akademik. Na është bërë e ditur se këto universitete do të vazhdojnë të funksionojnë dhe se studentët që janë duke i vijuar studimet, do të vazhdojnë me studime edhe këtë vit akademik pa u ndërprerë”, është thënë në deklaratë.

Tutje ata kanë shtuar se vendimi i KShC-së ishte i vështirë por i drejtë dhe se është në vijë të plotë me mandatin e Agjencisë për të siguruar cilësinë e arsimit.

Zyra e BE-së në Kosovë theksoi se kanë qenë të përkushtuar për shumë vite për arsim cilësor dhe se do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në të ardhmen.

“BE fuqishëm e mbështet këtë rol dhe pavarësinë e Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Vendimet e saj duhet të respektohen nga të gjithë akterët, ne veçanti nga niveli politik. Ajo që është thelbësore, është synimi i arritjes së një cilësie më të mirë në arsimin e lartë për të gjithë studentët në Kosovë. Me shpresën se ky vendim do të hap rrugën për këto universitete që të përmirësojnë cilësinë e performancës dhe shërbimeve të tyre për studentët”, thuhet më tej në deklaratën e BE-së.

KALLXO.com dje (15 korrik) ka monitoruar mbledhjen e 74-të të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të cilët votuan rekomandimet e raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë të ENQA-s, sipas të cilave Universiteti i Pejës, Mitrovicës dhe Prizrenit, si dhe Kolegji Fama, Kolegji Iliria, Kolegji Tempulli dhe Kosovo Art Academy, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të ri për këtë vit akademik.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte reaguar pas raportimit të KALLXO.com se Këshilli Shtetëror i Cilësisë u ka tërhequr akreditimin institucional tri universiteteve publike, pas rekomandimit të ekspertëve ndërkombëtarë.

Në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj deklaroi se është i papranueshëm vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e tri Universiteteve Publike.

https://kallxo.com/universitetet-e-pejes-prizrenit-dhe-mitrovices-nuk-mund-te-regjistrojne-studente-te-rinj/

https://kallxo.com/pervec-tri-universiteteve-publike-kshc-ua-terheq-akreditimet-edhe-4-kolegjeve-private/

https://kallxo.com/pas-raportimit-te-kallxo-com-reagon-haradinaj-per-mosakreditimin-e-universiteteve-publike/