Flamuj të BE-së -Foto: REL/AFP

BE reagon për taksën ndaj Serbisë për brendet ndërkombëtare

Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova ka reaguar lidhur me vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës që taksa 100% për produktet serbe të vlejë edhe për brendet ndërkombëtare që hyjnë nga Serbia në Kosovë.

BE është shprehur e shqtësuar me këtë vendim dhe kërkon që Kosova ta rishqyrtojë këtë.

“E kemi parë me shqetësim vendimin e Kosovës për të shtrirë tarifën prej 100 për qind edhe për produktet e markave të njohura ndërkombëtare të vendeve tjera, duke përfshirë edhe vendet e BE-së, të cilat prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë”, thuhet në komunikatën e zyrës së BE-së.

Sipas komunikatës vendosja e këtyre tarifa nuk i kontribuon fqinjësisë së mirë në rajon dhe bie në kundërshtim me marrëveshjet dhe angazhimet që ka marrë Kosova.

“Ne duam të përsërisim mesazhin e BE-së, se vendosja e tarifave nuk kontribuon në marrëdheniet e fqinjësisë së mirë dhe ajo bie në kundërshtim me angazhime e Kosovës drejt integrimit rajonal dhe angazhimeve të marra nga nënshkrimi i MSA-së”, thuhet tutje në reagim.

Zyra e BE-së në Prishtinë i ka bërë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin dhe të revokojë taksën.

“Ky do të ishte vendimi i duhur që Kosova dhe populli i sajë të avancojë drejt aspiratave Evropiane për të tashmen dhe të ardhmen”, thuhet nga zyra e Apostolovës.

Ndërkohë është bërë thirrje që edhe Kosova por edhe Serbia të përmbahen nga veprimet të cilat do të binte në kundërshtim me thirrjen e BE-së për bashkëpunim rajonal.

Ky vendim i Kosovës siç ka shpjeguar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj vije pas letrës së kryeministres serbe drejtuar vendeve tjera përfshirë edhe Shqipërinë, për tërheqjen e njohjes së Kososvës.

Ai e quajti këtë si të papranueshme duke shprehur edhe shqetësim se përse BE nuk reagoi ndaj veprimeve të Serbisë.

BE ka kritikuar Kosovën qysh në vendimin e parë të qeverisë për vendosjen e taksës 10% ndaj produkteve serbe më 6 nëntor, por edhe taksën 100% të vendosur më 21 nëntor./21Media