Foto: arkiv
BE Kushtëzon Kosovën me Ligjin e Punës
“Reforma e Ligjit të Punës në Kosovë – të Rejat e Fundit rreth Dialogut Social” ishte tema e tryezës së diskutuar në këtë qendër.
Ligji i Punës në Kosovë si dhe roli i aktorëve kryesorë në Këshillin Ekonomik-Social është një ndër parakushtet e rëndësishme për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) që BE-ja i ka dhënë Kosovës, u tha në hyrje të diskutimit.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) Arban Abrashi tha se kjo ministri po bashkëpunon me ministritë tjera për zbatimin e Ligjit të Punës.
“Ne së bashku me Ministrinë për Financa jemi duke e hartuar Ligjin për Grante Sociale. Me anë të këtij ligji do tëbëhet shpërndarja e granteve sociale për komuna. Gjithashtu, ne si ministri me Ligjin e Punës jemi duke e krijuar dialogun punëdhënës, punëmarrës dhe ministri,” tha Abrashi.
Kushtrim Shaipi, nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS) tha se qytetarët nuk kanë informacion mbi funksionimin e politikave sociale dhe sa i përket skemës pensionale, sipas tij, shumica e qytetarëve besojnë se niveli minimal i pensioneve i përmbush nevojat.
Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), tërhoqi vërejtjen se nuk ka kontroll të mjaftueshëm nga MPMS-ja për zbatimin e Ligjit të Punës dhe sugjeroi që të bëhet shtimi i inspektorëve në terren.
Ai gjithashtu tha se kontrata kolektive i obligon të gjitha palët e përfshira në këtë marrëveshje për zbatimin e saj.
Përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Petrit Balija, tha se së pari duhet të fillohet me zbatimin e Ligjit të Punës, pastaj të niset me implementimin në mënyrë graduale të kontratës kolektive, sipas sektorëve.
Programi i diskutimeve të BE-së ka për synim të trajtojë çështjet e zhvillimit të Kosovës përmes diskutimeve me shoqërinë civile, udhëheqësit qeveritarë, përfaqësuesit e biznesit dhe medias duke nxitur dialogun me publikun e gjerë mbi çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane.
Ky diskutim është pjesë e fushatës dymujore të Qendrës Informative dhe Kulturore të BE-së për sundimin e ligjit dhe fuqizimin ekonomik. [interaction id=”56c61a86b6c51fb652ed6117″]