BE Kërkon Depolitizim të Ndërmarrjeve dhe Institucioneve Publike

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga institucionet e Kosovës hapa në depolitizimin e institucioneve të pavarura dhe ndërmarrjeve publike.

Të mërkurën në Prishtinë ka përfunduar dialogu dy ditësh mes zyrtarëve të BE-së dhe autoriteteve të Kosovës për Procesin e Stabilizim- Asocimit për vitin 2016.

“Gjatë kësaj ngjarjeje dy ditore, zyrtarët e Komisionit Evropian (KE) kanë nënvizuar nevojën për emërime transparente, të bazuara në meritë dhe jo të politizuara të organeve të pavarura rregullatore, ndërmarrjeve publike si dhe institucioneve publike, në mënyrë që të sigurohet funksionim  i tyre efektiv dhe i pavarur, me fokus të veçantë në emërimet e fundit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e BE-së në Kosovë.

Çështje tjetër e ngritur në këtë diskutim ishte nevoja për një sistem të zbatueshëm për konfiskimin e pasurive, për të siguruar luftimin efektiv të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Komisioni Evropian gjithashtu ka theksuar nevojën për një funksionim efektiv dhe të pavarur të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Gjatë këtij takimi, janë biseduar edhe çështje të tjera siç janë, lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër trafikimit me qenie njerëzore dhe narkotikë, anti-terrorizmin dhe kontrabandimin e emigrantëve, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, etj.

Gazeta “Jeta në Kosovë” gjatë javëve të kaluara ka publikuar shumë hulumtime rreth politizimit të bordeve të ndërmarrjeve publike dhe agjensive të pavarura.

Bordi i ARKEP, Pikëpyetje për Politizimin dhe Kualifikimet

 

Bordi i AKP-së me Anëtarë të Pensionuar

ZRrE e Pushtuar nga Partitë në Pushtet

Posta e Kosovës- – Bordi Politik që Dëshmon Pafuqinë e Kryeministrit

Aeroporti i Gjakovës nën Kontroll të PDK-së