BE-ja Mirëpret Fillimin e Hartimit të Statutit të Asociacionit

Angelina Eichhorst, drejtoreshë për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë dhe zëvendësdrejtoreshë menaxhuese në Shërbimin Europian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), gjatë një vizite dyditore në Prishtinë për të adresuar zhvillimet e fundit dhe hapat e ardhshëm urgjentë, tha se çfarëdo mosmarrëveshjeje midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore në dhe përmes dialogut.

Ajo theksoi nevojën urgjente për të përshpejtuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Kosova duhet të zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe pa vonesa të mëtejshme”, tha ajo.

Eichhorst përshëndeti njoftimin e Kryeministrit Ramush Haradinaj për fillimin e punës së Ekipit Menaxhues për Asociacionin.

“Ne tash do të ftojmë kryenegociatorët nga Beogradi dhe Prishtina, ekipet e tyre, si dhe Ekipin Menaxhues dhe ekspertët teknikë për diskutime në Bruksel dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim në procesin e hartimit”, tha ajo.

Eichhorst, diskutoi agjendën e integrimit europian të Kosovës pas miratimit të Strategjisë së re të Komisionit për Ballkanin Perëndimor dhe në kuptimin e raporteve të ardhshme vjetore të Komisionit Europian që do të publikohet më 17 prill.

“Populli i Kosovës në raport do të ketë mundësinë të lexojë një vlerësim nga dora e parë lidhur me përparimin e Kosovës në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe Agjendës së Reformave Europiane. Çështjet e mbështetjes së legjislacionit ndërkombëtar, sundimit të ligjit, drejtësisë, transparencës, procesit të rregullt ligjor dhe gjykimit të drejtë, si dhe luftës kundër krimit të organizuar, janë elemente të rëndësishme kundrejt të cilave do të matet progresi. Duke mbetur e përkushtuar ndaj agjendës së BE-së, si orientim i saj strategjik, Kosova mund të presë bashkëpunimin konstruktiv, efektiv dhe të frytshëm me BE-në dhe rajonin në tërësi”, tha Eichhorst.

Sipas saj, ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, është hap i rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave.

Eichhorst gjithashtu përmendi vonesën në zbatimin e marrëveshjes së energjisë dhe rikujtoi nevojën urgjente për të lejuar që Kosova të jetë pjesë e mekanizmave regjionalë të transmetimit të energjisë elektrike.

Sa i përket arrestimit dhe dëbimit të paradokohshëm të gjashtë shtetasve turq me qëndrim të ligjshëm në Kosovë dhe hetimit pasues të iniciuar nga Kryeministri Haradinaj, Eichhorst tha se ky deportim ngriti shumë pyetje në Bruksel mbi procesin e duhur, transparencën dhe drejtësinë.

“Në përputhje me vendosmërinë e Kosovës për të punuar së bashku për një të ardhme të lirë dhe demokratike, siç përcaktohet edhe në MSA, të gjitha veprimet e institucioneve janë të kushtëzuara nga respektimi i plotë i sundimit të ligjit dhe promovimi universal i respektimit dhe ndjekjes së rregullave dhe normave ndërkombëtare edhe kur është fjala për ekstradimin”, tha ajo.

Gjithashtu, zotimi i vazhdueshëm i Kosovës në Dhomat Speciale, sipas saj, demonstron guxim dhe vendosmëri për të bërë përparim të mëtejshëm drejt integrimit në BE dhe për të bërë përpjekje të sinqerta me synimin për të garantuar sundimin e ligjit, liritë themelore, drejtësinë dhe pajtimin. Gjatë takimeve, gjithashtu u trajtua edhe roli i EULEX-it për të ndihmuar Kosovën në ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve të sundimit të ligjit, duke krijuar një sistem gjyqësor shumetnik, të lirë nga ndërhyrjet politike.