Sheshi para Qeverise dhe Kuvendit të Kosovës - FOTO: KALLXO

BE dhe Autoriteti i Konkurrencës organizojnë më 13 qershor konferencë për sfidat e investitorëve

Zyra e Bashkimi Evropian në Kosovë në bashkëpunim e Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe Komisionin për Ndihmë Shtetërore më 13 qershor 2019 do të organizojnë konferencën “Konkurrenca është e mirë por me rregullim edhe më e mirë” në ambientet e Hotel Sirius.

Ngjarja e cila do të fillojë nga ora 09:30 deri në 12:30, ka për qëllim që të diskutohen sfidat dhe mundësitë që ballafaqohen investitorët në tregun kosovar.

Në këtë konferencë do të flasin shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ministri i Financave, Bedri Hamza si dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

BE po mbështet Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, Komisionin Kosovar të Konkurrencës, Departamentin e Ndihmës Shtetërore dhe Komisionin e Ndihmës Shtetërore për të zhvilluar më tej kapacitetin e tyre institucional dhe për të harmonizuar kornizën legjislative të konkurrencës së Kosovës dhe praktikat zbatuese të BE-së.