BE: 8 Milionë të Punësuar në Teknologji Informative

Punësimi në këtë fushë sipas  Agjencisë së Statistikave të BE-së- Eurostat është  rritur në mënyrë të vazhdueshme viteve të fundit. Viti 2011 numëronte mbi 6.8 milionë persona të punësuar në këtë sektor.

Numri i këtyre të punësuarve është katër herë më i madh se popullsia e tërësishme e Kosovës prej 1.8 milionë banorëve.

Sipas Eurostatit në vendet e BE-së në vitin 2014 40 për qind e ndërmarrjeve me 10 të punësuar që rekrutuan ose ishin në përpjekje për të rekrutuar personel të specializuar për teknologji informative kishin vështirësi në plotësimin e  vendeve të lira të punës.

Raporti i Agjencisë së Statistikave të BE-së tregon se shumica dërrmuese e të punësuarve në teknologji informative dhe të komunikimit janë meshkuj. Në vitin 2014 përllogaritet se 8 nga 10 të punësuar në këtë fushë e kishin gjininë mashkullore.

Sipas të dhënave të këtij raporti, më shumë se gjysma apo 56.5 për qind e specialistëve të teknologjisë informative dhe të komunikimit kanë nivel të arsimit të lartë.

Për t’u rikthyer në vendin tonë, sipas raportit të Shoqatës së Teknologjisë Informative dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK) mbi Analizat e Mangësive të Shkathtësive në Vitin 2013, vlerësohej se sektori i TIK-ut kishte punësuar 1,716 persona në 2013-ën dhe se kishte dhënë mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës për vitet në vijim.

Raporti i STIKK-ut gjithashtu përmend  një raport të kompanisë “Microsoft” të vitit 2014 për Kosovën, në të cilin thuhet se mungesa e gjatë e fuqisë punëtore të kualifikuar në teknologji informative dhe të komunikimit ndikon negativisht në konkurrencën e vendit  jo vetëm në këtë sektor, por edhe në sektorët tjerë.

Reformat fiskale të vitit 2015 me të cilat u liruan nga TVSh-ja pajisjet e importuara të teknologjisë informative pritet të ndikojnë në zhvillimin e këtij sektori në Kosovë.