Bazaj i vendosur: Nuk kthehem në PDK

Naim Bazaj, pasi që u mposht në garën për të parin e degës së Partisë Demokratike të Kosovës(PDK) në Drenas nga kryeshefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, qëndron pas vendimit të tij për dorëheqjen nga kjo parti, por jo largimin nga politika.

Bazaj ka thënë se pasi që të mbledh delegatët që e kanë votuar të shtunën, do të informoi për vendimin e tyre pas largimit nga PDK.

Ai në një bisedë për KALLXO.com është shprehur i vendosur se nuk do të kthehet në partinë të cilën i përkiste deri një ditë para.

Gjithashtu Bazaj ka vazhduar të akuzojë liderin e PDK-së, Kadri Veselin dhe kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci për manipulim të votave.

“Jem tu prit shumicën e delegatëve që më kanë votu, ka edhe që nuk kanë qenë plotësisht delegatë, jam në bisedë të disa fshatrave rregullisht dhe shumë shpejtë do të dalim me një qëndrim. Është e vërtetë që kurrën e kurrës nuk ka mu kthy më në partinë në krye me liderin mashtrues që më ka mashtru”, u shpreh ai.

Ai kujton kohën që kishte kandiduar në zgjedhjet lokale për të parin e Drenasit në vitin 2016, që sipas tij, Veseli e kishte lutur që të tërhiqet nga kandidatura.

“Edhe në vitin 2016 kur jam tërheq prej gare në kohën kur isha kandidat i pavarur më është lutur që të jap dorëheqje. Kam punu shumë sa kam mujtë, po kit shtet e kanë shkatërru këta jo une, se unë skam përfitu kurrë prej tyne. Po gabimi ka qenë i jemi që kam pranu me dhanë dorëheqje prej kandidaturës për shkak të lutjeve të Kadri Veselit. Ky e ka qu në humnerë PDK-në”, u shpreh ai.

Ai potencoi së në Kosovë ka parti tjera politike që janë më ‘të mira’ se Partia Demokratike e Kosovës.

Por kur u pyet se cilët janë planet e tij për parti të radhës, ai nuk tregoi se cilës parti po synon që bashkë më delegatët e tij t’i bashkohen.

KALLXO.com ka raportuar të shtunën se kryeshefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha është zgjedhur kryetar i degës së PDK-së në Drenas.

Lajmin për zgjedhjen e tij e kishte bërë të ditur, bashkpartiaku i tij, Ramiz Lladrovci, i njëjti i quajti zgjedhjet ‘demokratike dhe fer’.

Ky proces zgjedhor ishte mbajtur pa prezencën e mediave.

Gjithashtu, KALLXO.com të dielën raportoi se sipas interpretimit ligjor Sejdi Hoxha nuk ka të drejtë mbajtën e dy pozitave.

https://kallxo.com/interpretimi-ligjor-qe-ia-ndalon-sejdi-hoxhes-te-jete-kryeshef-i-postes-dhe-kryetar-dege-ne-pdk/