Naim Bazaj e Ramiz Lladrovci. Foto: Facebook

Bazaj e akuzon Lladrovcin për keqpërdorim të fondit 'Vendlindja thërret', ai paralajmëron padi

Naim Bazaj, i cili deri dje po synonte kreun e degës së PDK-së në Drenas, sot e quan parti të dështuar dhe e ka paralajmëruar dorëheqjen bashkë me delegatët që e kanë votuar më 18 maj.

Bazaj në një prononcim për KALLXO.com përveç pretendimeve se kryeshefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, është zgjedhur me manipulime, ai akuzon edhe ish-partiakun i tij, Ramiz Lladrovcin, se ka keqpërdorur para nga fondi i kohës së luftës ‘Vendlindja thërret”.

“Janë ble votat me premtimin që më i punësu në Postë e institucione të tjera. Marre more duhet me ju ardhë. I ka kushtëzu Lladrovci krejt asamblistët e drejtorët, i ka fut rreth 30 përnjëherë që nuk pasë të drejtë. U shkel rregullorja. Mjerisht ky vend ka pasur nevojë për ndryshime edhe ia pafshin hajrin po jo me ble vota me pare të ‘Vendlindja thërret”. Zotëri Lladrovci me paret e ‘Vendlindjes Thërret’ dhe me pare të shtetit kanë ble vota dhe njerëz. Të premten në mbrëmje iu kanë thanë njerëzve sa pare po i doni veç me na e dhanë votën”, deklaroi ai për KALLXO.com

Ndërkaq, i pyetur nga KALLXO.com për këto akuza drejtuar atij, Lladrovci siç duket as në këtë rast ai nuk do të kursehet që të padisë ata që sipas tij ‘shpifin’.

Ai gjithashtu e ka quajtur ‘festë’ fitoren e kryeshefit të Postës për kryetar të PDK-së në Drenas, Sejdi Hoxha.

“Sot kemi festë, ditë e dytë e festës, kuvendi i suksesshëm zgjedhor dje, sot Feronikeli kampion i Kosovës.  Tashmë, këto thashetheme e shpifje nuk do të duhej të merreshin seriozisht sepse gjatë tri fushatave të shkuara janë lansuar pa bazë, për shkaqe elektorale. Gjithsesi, shpifja është e dënueshme, dhe do të paraqes padi”, ka thënë kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

KALLXO.com ka raportuar të shtunën (18 maj) se kryetari i degës së PDK-së në Drenas është zgjedhur kryeshefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha.

Gjithashtu, KALLXO.com të dielën raportoi se sipas interpretimit ligjor Sejdi Hoxha nuk ka të drejtë të mbajë dy pozitat.

https://kallxo.com/interpretimi-ligjor-qe-ia-ndalon-sejdi-hoxhes-te-jete-kryeshef-i-postes-dhe-kryetar-dege-ne-pdk/

www.kallxo.com