Bastisjet për Prona në ‘Jeta në Kosovë’

Në emisionin “Jeta në Kosovë”, sonte do të transmetohet debati në të cilin do të analizohet aksioni më i madh i realizuar nga misioni i EULEX-it dhe Policia e Kosovës në hetimet ndaj krimit të organizuar në Kosovë.

Çfarë dyshime ka ngritur prokurori të cilat rëndojnë mbi 50 të dyshuar, në mesin e të cilëve edhe një nga figurat kryesore të PDK-së, Azem Syla.

Kur kishte nisur ky hetim? Cilat ishin provat  e prokurorisë të cilat dëshmojnë se grupi në të cilin bën pjesë edhe Azem Syla kanë tjetërsuar prona në mënyrë të paligjshme? Si përgjigjet avokati Tomë Gashi në dyshimet ndaj klientit të tij, Azem Syla?

A po luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar apo këto janë vetëm shfaqje mediale me shumë pompozitet?

A duhet të largohet EULEX në qershor të këtij viti dhe a guxojnë prokurorët vendorë ta hetojnë një figurë si Azem Syla?

Për të diskutuar për këto tema Muhamet Hajrullahu ka ftuar:

Tomë Gashi – avokat i Azem Sylës;

Arbana Xharra – kryeredaktore e gazetës “Zëri”;

Kreshnik Gashi – redaktor në ‘Drejtësia në Kosovë’; dhe

Haki Abazi – Fondacioni i Vëllezërve Rockefeller

Po ashtu në fund të emisionit do të ndiqni intervistën e realizuar nga Jeta Xharra me Caroline Vanerholm, diplomate suedeze nga Agjencia Ndërkombëtarë për Zhvillim e Suedisë e cila është eksperte gjinore e cila do të shpjegojë se si Suedia ka vendosur që të zhvillojë politikë të jashtme feministe.

“Jeta në Kosovë”, transmetohet sonte në orën 20:20 në RTK, ndërsa repriza nesër në mesditë.