Disa nga mjetet e sekuestruara gjatë bastisjes | Foto: ATK

Bastiset një Klinikë në Prishtinë për Shmangie nga Tatimi

Një klinikë në Prishtinë është kontrolluar nga Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës në bashkëpunim me Policinë e Krimeve Ekonomike dhe në asistim të Inspektoriatit Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë nën dyshimet për shmangie nga tatimi.

Kontrolli në këtë klinikë bëhet i ditur nga një komunikatë e Administratës Tatimore të Kosovës, ndërsa ajo ka ndodhur pas informatave fillestare për deklarim të rremë të të hyrave.

“Në vendngjarje gjatë kontrollimit të lokacionit janë gjetur para të gatshme (cash), para të cilat nuk janë përputhur me deklarimet që janë bërë për ATK-në. Pra, deklarimet kanë qenë shumë më të vogla sesa paraja e gjetur në lokacion”, thuhet në komunikatën e ATK-së.

ATK-ja tregon se aksioni është zhviluar në koordinim dhe me udhëzimet e prokurorit kujdestar.

Në komunikatë tregohet edhe gjërat që janë sekuestruar pas bastisjes.

“Nga hetuesit tatimorë janë sekuestruar, para të gatshme, dy laptopë, fletore personale me shënime të pagesave nga klientët, 6 telefona dhe një pasaportë, si dhe shumë dokumentacione të tjera që do të përdoren në procedura të mëtutjeshme”, vijon komunikata.

ATK-ja dyshon se në këtë klinikë është kryer edhe frytnimi artificial, pasi gjatë kontrollit janë gjetur dokumentacione që janë trajtuar pacientë për këtë gjë.

Gjatë bastisjes janë zbuluar edhe barna pa prejardhje dhe me afat të skaduar.