Bashkimi Sipas Sali Çekajt

Në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në “Ditët e Shqipes” u kujtua rënia e heroit Sali Çekaj dhe Dita e Veteranëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi tha se sot së bashku me Sali Çekajn po kujtohen edhe Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Iliaz Kodra dhe Ahmet Hoxha.

“Ushtria  Çlirimtare e Kosovës u ndërtua mbi idetë dhe guximin e këtyre heronjve, përderisa Çekaj asokohe kishte kthyer shtëpinë e tij në Broliq të Deçanit në depo armësh çlirimtare. Nuk ka pasë dhe nuk ka fuqi mbi faqe të dheut e veçmas në Kosovë që do t’i rezistonte vizionit, idealeve dhe sakrificës së heronjve të një kombi liridashës e të drejtë,” tha Abrashi.

Rrustem Berisha i cili foli në emër të Brigadës 138 “Agim Ramadani” tha se secili duhet të veprojë drejt frymës së bashkimit.

“Përmes figurës së Sali Çekajt të kujtojmë gjithë prejardhjen e veprimtarëve të cilët me laps e më pushkë janë meritorë për të arriturat e deritashme të kombit,” tha Berisha.

Para të pranishmëve ai kujtoi edhe fjalët e Sali Çekajt: “ne jemi një komb i vogël, prandaj duhet të bashkohemi. Ne nuk kemi mundësinë as nuk guxojmë të lejojmë të ndahemi”.

Në emër të familjes së Sali Çekajt të pranishmëve iu drejtua i biri i tij Hysen Sali Çekaj.

“Ditë e dhimbshme, por njëkohësisht e mbushur më krenari për veprën e më të dashurit tonë i cili me angazhimet e tij shumëvjeçare kontribuoi krahas dëshmorëve dhe veteranëve tjerë në realizimin e një ëndrre shekullore të shqiptarëve, një Kosovë të lirë, shtet i pavarur,” tha Çekaj.

Historiani Frashër Demaj tregoi për të pranishmit dashurinë e Sali Çekajt ndaj atdheut dhe ndihmën që i ofroi  Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës deri te vdekja e tij me 19 prill 1999 te Rrasat e Koshares.

Në akademi aktori Mirush Kabashi shfaqi një recital, ndërsa pianistja Lirika Pula ekzekutoi në piano melodinë e këngës “Unë biri yt Kosovë”.

Në kuadër të “Ditëve të Shqipes” më 11 prill u kujtua edhe heroi Agim Ramadani.