Bashkimi Kombëtar i Fjalëve

“Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës dalin sot para jush me bilanc pozitiv të bashkëpunimit pas mbledhjes,” tha Kryeministri Mustafa.

Mustafa edhe mbledhjen e tretë të dy qeverive e numëroi te sukseset e Kosovës gjatë majit-pranimin në UEFA, FIFA dhe rekomandimin pozitiv për heqje vizash.

Kryeministri i Kosovës tha se rezultatet e bashkëpunimit do të maten.

“Sot patëm një mbledhje shumë rezultative dhe mund të them se solli edhe një risi në krijimin e mekanizmave që do të vlerësojmë se do të bëhen të matshëm dhe efikas në bashkëpunimin tonë të ardhshëm,” tha Mustafa.

Ai u mburr se bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri tash është realitet.

“Bashkëpunimi i gjithanshëm që deri dje konsiderohej ëndërr e të gjithë shqiptarëve sot është një realitet rajonal dhe nesër do të jetë një model evropian dhe më gjerë,” tha Mustafa.

Marrëveshje të prekshme, e jo në letër, i cilësoi marrëveshjet e arritura edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.

Ai tregoi se pse ndodhi takimi mes dy qeverive.

“Jo thjesht për të bashkërenduar dokumentet e marrëveshjeve, por për të çuar përpara një plan strategjik integrimi të hapësirës sonë të përbashkët të ndërveprimit ekonomik dhe kulturor, sepse ai politik është një ndërveprim që nuk ka munguar asnjë çast qysh në krye të herës,” tha Rama.

Ai tregoi se ku do të përqendrohet bashkëpunimi.

“Thellohet bashkëpunimi në fushën ekonomike, fushën e financave, transportit, energjisë, por edhe në fushën e mirëqeverisjes dhe administrimit publik, mjedisit dhe bashkëpunimit ndërkufitar, si dhe në përballjen e përbashkët të fatkeqësive natyrore,” tha Rama.

Rama pati porosi që shqiptarët e serbët mund ta bëjnë për Ballkanin atë që francezët e gjermanët e bënë për Evropën.

Ai bashkimin kombëtar e pa si një rrugë të integrimit mes vete dhe integrimit në BE.