Bashkimi Europian Komenton Murin në Mitrovicën e Veriut
Qeveria e Kosovës reagoi të mërkurën ashpër ndaj këtij veprimi të komunës së Mitrovicës së duke e quajtur atë si “veprim ilegal, i cili e rrezikon dialogun” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i cili është duke u zhvilluar në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Por Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, tha se janë të angazhuar që bashkë me palët në kontest ta gjejnë një zgjidhje.
“Jemi në kontakt të ngushtë me të gjithë faktorët për të siguruar një pamje të kënaqshme për të gjithë, të urës dhe të rrugës, në mënyrë që të të gjithë qytetarët të përfitojnë nga kjo”, tha Kocijançiq për KALLXO.com.
Ajo shtoi se marrëveshja për urën e Mitrovicës, e cila pritet të hapet për qarkullim më 20 janar 2017, parasheh rregullimin e urës, me fonde të BE-së dhe rregullimin e rrugës “Mbreti Petar” për qarkullim të këmbësorëve.
Nga ana tjetër, Ministrja për Dialog Edita Tahiri, në një takim të mbajtur dje me delegacionin e Kosovës për bisedime me Serbinë, ka zbuluar planin e masave ligjore të Qeverisë për të ndaluar menjëherë ndërtimin e këtij muri dhe anulimin e çdo veprimi të mëtejshëm që, sipas ministrisë, bie ndesh me ligjet e Kosovës dhe Marrëveshjen e Brukselit.
“Koha e mureve ka kaluar, është kohë e lëvizjes së lirë dhe heqja e barrikadës nga ura e Ibrit i dha fund epokës famëkeqe të barrikadave. Ne nuk do lejojmë mure e barrikada të reja, sepse ato bien ndesh me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjen e Brukselit. Qeveria e Kosovës do të veproj me forcën e ligjit për të ndalur punimet në atë pjesë të qytetit si dhe për të rrënuar këtë mur”, tha Tahiri.
Ajo ka thënë ta ketë njoftuar Bashkimin Europian “për këto zhvillime negative” ndërsa ka kërkuar ndalimin e mëtejmë të punimeve afër urës.